Ballina Kuriozitete Superhëna më e madhe e vitit 2025: Sonte, qielli dhuron spektakël

Superhëna më e madhe e vitit 2025: Sonte, qielli dhuron spektakël

25
0

Ata që do të ngrenë sytë nga qielli këtë mbrëmje do të kenë fatin të shijojnë një pamje mahnitëse. Sonte ndodh superhëna e parë e vitit dhe njëkohësisht më e madhja dhe më e ndritshmja për vitin 2025. Kjo ndodh sepse Hëna ndodhet në pikën më të afërt të orbitës së saj me Tokën.

Çfarë është një superhënë?

Orbita e Hënës rreth Tokës nuk është rrethore, por eliptike, që do të thotë se distanca mes tyre ndryshon gjatë vitit. Kur Hëna e plotë përkon me pikën më të afërt të orbitës së saj, të quajtur perigje, ose kur është deri në 90% afër asaj pike, atëherë kemi atë që quhet “superhënë”.

Ky term u përdor për herë të parë në vitin 1979 nga astrologu Richard Nolle, për të përshkruar hënat e plota që duken me sy të lirë më të mëdha dhe më të ndritshme, për shkak të afërsisë së tyre me Tokën.

Në këto kushte, Hëna mund të duket deri në 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme se zakonisht, një efekt që është i dukshëm me sy të lirë, sidomos në lindje dhe perëndim të saj.

Astronomët nuk bien plotësisht dakord mbi një përkufizim të vetëm për superhënën. Disa e konsiderojnë të tillë çdo hënë të plotë që ndodhet brenda një distance prej 360,000 kilometrash nga qendra e Tokës. Sipas këtij përkufizimi, për shembull, Hëna e Korrjes që do të ndodhë në tetor nuk do të konsiderohej si superhënë.

Megjithatë, në çdo rast, superhëna e sotme është një mundësi perfekte për të ndalur një moment, për të ngritur sytë nga qielli dhe për të parë nga afër një nga mrekullitë më të bukura natyrore të vitit.