Ballina Politika Siguria në gjykata, KLGJ: Policia refuzoi bashkëpunimin për masat mbrojtëse

Siguria në gjykata, KLGJ: Policia refuzoi bashkëpunimin për masat mbrojtëse

31
0

Pas deklaratës së ministres së Brendshme, Albna Koçiu, se policia nuk ka përgjegjësi për sigurinë brenda gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi duke e përgënjeshtruar publikisht.

Dje ministrja e Brendshme, deklaronte se “Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku. KLGJ gjithashtu hekson se ka kërkuar në mënyrë të përsëritur shtimin e forcave të policisë në sallat e gjyqit, por kërkesa është refuzuar.

REAGIMI I GJYKATËS

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh edhe njëherë dhimbjen më të thellë dhe indinjatën më të madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur, ku në ushtrim të detyrës, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën brenda sallës së gjyqit.

Ky akt i rëndë përbën një sulm ndaj vetë themeleve të drejtësisë, ndaj autoritetit të gjykatës dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në emër të gjithë trupës gjyqësore të vendit, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe komunitetit të gjyqtarëve, duke theksuar se drejtësia nuk mund të gjunjëzohet nga dhuna.

Në këtë situatë të rëndë, Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në Mbledhje të Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.

Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.

Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.

Me shkresën nr. 5489/1 Prot., datë 02.11.2023, drejtuar Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, Këshilli ka kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.

Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Në këtë moment të rëndë për sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.

Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES ALBANA KOÇIU

Reagim i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:

Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.

Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.

Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.