Ballina Aktualitet Gjykata e Lartë thërret në mbledhje të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë pas...

Gjykata e Lartë thërret në mbledhje të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë pas vrasjes së Astrit Kalasë

46
0

Gjykata e Lartë ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë, pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja.

Gjyqtarët, në këtë takim janë thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë për një mbledhje urgjente të enjten në orën 10:00 në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Ngjarja e rëndë dhe e dhimbshme e ndodhur së fundmi, që tronditi thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik, ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.

Pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se:

· asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë;

· asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën;

· asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.

Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.

Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.

Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri.