DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.34, DATË 7.1.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE DHE TRAJTIMIN E PERSONALITETEVE TË LARTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.34, datë 7.1.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “ë”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit dhe siguron shërbimet logjistike shtesë për delegacionet shtetërore jashtë vendit, për Kryeministrinë dhe ministritë. Për Kabinetin e Kryeministrit, institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Shpenzimet për kryerjen e këtyre shërbimeve mbulohen nga buxhetet e institucioneve përfituese. DSHQ-ja negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Detyrat dhe përgjegjësitë e DSHQ-së për përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e shërbimeve, si organ qendror blerës të përcaktuar në këtë shkronjë, si dhe tarifat e shërbimit miratohen me vendim të Këshillit Drejtues.
Institucionet e lartpërmendura dërgojnë në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare kërkesat për blerje të biletave dhe akomodim në hoteleri, jo më vonë se 15 ditë nga data e udhëtimit. Në raste emergjence dhe të justifikuara me shkrim nga institucioni kërkues, mund të procedohet me kërkesën, e cila duhet të dorëzohet jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e udhëtimit. Në raste përjashtimore, DSHQ-ja mund të realizojë shërbimin në afate më të shkurtra se më sipër, me miratimin nga titullari i institucionit.”
2. Pas shkronjës “j”, të pikës 2, shtohen shkronjat “k” ,“l” “ll”, “m”, “n”, “nj” dhe “o”, me këtë përmbajtje:
“k) Mbulon funksionet e “Shërbimeve ndaj Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara jashtë vendit”, nëpërmjet drejtorisë përkatëse në varësi të saj;
l) Menaxhon, administron dhe mirëmban godinat qeveritare, që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, duke përfshirë planifikimin, organizimin funksional të hapësirave, rikonstruksionin dhe mobilimin, sipas nevojave të institucioneve publike;
ll) Inventarizon dhe regjistron pasuritë, që gjenden në listën e inventarit të Këshillit të Ministrave, duke krijuar një regjistër qendror për të gjitha godinat qeveritare, duke përfshirë të dhëna mbi sipërfaqen, destinacionin, gjendjen teknike, vitin e ndërtimit dhe statusin ligjor
m) Realizon procesin e mirëmbajtjes e të restaurimit në godinat qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, ndërhyrjet kapitale për rikonstruksione e restaurime, si dhe merr masa për sigurinë teknike e mbrojtjen nga zjarri;
n) Harton plane për menaxhimin me efikasitet të energjisë së godinave qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim edhe me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe kujdeset për integrimin e standardeve ‘green building’;
nj) Ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e mobiljeve, arredimin/ambientimin e mjediseve të punës dhe përfaqësimit për llogari të Kryeministrisë, ministrive si dhe të përfaqësive diplomatike të akredituara jashtë vendit. Për institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Administron, mirëmban dhe restauron mobilje dhe objekte dekorative me vlerë historike dhe artistike që përdoren nga institucionet shtetërore, duke krijuar një fond kombëtar mobiljesh dhe objektesh dekorative (koleksion shtetëror);
o) Kryen procedurat e ankandit publik për shitjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative të amortizuara e të panevojshme dhe merr pjesë në ankande për blerjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative me interes historik, artistik dhe estetik, duke respektuar rregullat, procedurat dhe përjashtimet e legjislacionit në fuqi;”.
II. Funksioni i DSHQ-së për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit, i shtuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të zbatohet duke filluar nga data 1 janar 2026. Deri në atë datë, institucionet e përmendura në atë pikë duhet të kryejnë vetë procedurat përkatëse dhe brenda datës 10 dhjetor 2025 të dërgojnë pranë DSHQ-së të gjitha nevojat e tyre për periudhen 1 janar 2026 dhe në vijim.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA







