FIFA ka nisur një hetim zyrtar ndaj një shteti, i cili mund të pengojë kualifikimin e tij për Kupën e Botës 2026.
Me Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada pas më pak se tetë muajsh, ndeshjet e fundit kualifikuese janë në zhvillim.
Aktualisht, më pak se gjysma e 48 ekipeve që do të marrin pjesë në garë në Amerikën e Veriut janë kualifikuar, me 28 vende ende të pambushura.
Edhe pse secila nga konfederatat ndërkombëtare të futbollit ka mënyra të ndryshme për t’u kualifikuar në Botëror, të gjitha kanë ende disa vende për t’u plotësuar para nisjes së turneut.
Por për një shtet, shanset për të qenë pjesë e Botërorit mund të marrin një goditje të madhe, pasi FIFA ka nisur një hetim që mund t’i ndalojë nga kualifikimi.
Në Kupën e Botës do të marrin pjesë të paktën nëntë shtete nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), me mundësinë që edhe një i dhjetë të bashkohet nëse siguron një vend përmes “play-off”-it ndërkontinental.
Për të përcaktuar cilat ekipe do të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut, ekipet u ndanë në nëntë grupe me nga gjashtë skuadra secila, ku fituesit e grupeve kualifikohen automatikisht, ndërsa katër nënkampionet më të mira marrin pjesë në “play-off” për të vendosur se cila do të shkojë në ndeshjet ndërkontinentale.
Megjithatë, gjërat janë bërë edhe më të vështira për Guinenë Ekuatoriale, pasi FIFA ka nisur një hetim ndaj këtij shteti afrikan pasi nuk udhëtuan për ndeshjen e tyre të fundit kualifikuese për Botërorin.
Të enjten në mbrëmje, Malawi do të priste Guinenë Ekuatoriale në “Bingu National Stadium” në kryeqytetin Lilongwe.
Por vetëm disa orë para nisjes së ndeshjes, Federata e Futbollit të Malawit njoftoi se ajo ishte anuluar për shkak të “komplikimeve të papritura të udhëtimit” të kundërshtarëve.
Tani FIFA ka bërë të ditur se komiteti i saj disiplinor do të hetojë arsyen pse kombëtarja e Guinesë Ekuatoriale nuk udhëtoi drejt Malawit për ndeshjen.
Guinea Ekuatoriale tashmë kishte humbur me rezultat zyrtar 3-0 dy ndeshjet e para në nëntor, pasi FIFA vendosi që kapiteni Emilio Nsue nuk kishte të drejtë të përfaqësonte vendin në ndeshjet kualifikuese.
Më vonë, Nsue u lejua të luante sërish për kombëtaren, dhe Guinea Ekuatoriale tani ka ende shanse për t’u renditur e dyta në grup pas Tunizisë, për një vend në “play-off”.
Në deklaratën zyrtare të Federatës së Futbollit të Malawit që konfirmoi anulimin e ndeshjes, thuhej se vendimi u mor “për shkak të komplikimeve të papritura të udhëtimit që prekën ekipin mysafir.”
Megjithatë, një postim në llogarinë zyrtare të ekipit kombëtar zbuloi se lojtarët kishin votuar kundër udhëtimit në ndeshje për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tyre, pasi do të duhej të fluturonin gjatë natës dhe të mbërrinin në mëngjesin e ndeshjes.
Si pasojë e këtij vendimi, federata kombëtare pezulloi trajnerin Juan Micha, duke deklaruar në rrjete sociale se lojtarët dhe trajneri kishin treguar mungesë respekti ndaj popullit të Guinesë Ekuatoriale.