Ballina Kuriozitete Mjekësia e fshehur në polenin e bletëve

Mjekësia e fshehur në polenin e bletëve

30
0

Studiuesit kanë zbuluar se poleni i mbledhur nga bletët është plot me baktere të dobishme që prodhojnë antibiotikë natyralë për t’i mbrojtur ato nga sëmundjet. Bletët i mbartin pa e ditur këto mikrobe nga lulet në kosheret e tyre, duke i kthyer rezervat e polenit në një mburojë natyrore.

Kosheret e bletëve janë si fortesa të mbushura me polen, dyllë dhe mjaltë, por gjithashtu nën rrezikun e dhjetëra parazitëve, nga viruset e deri te kërpudhat. Për këtë arsye, studiuesit kërkojnë mënyra natyrale për t’i mbrojtur kolonitë.

Shkencëtarët amerikanë dyshuan se zgjidhja mund të ndodhej vetë në polenin e bletëve. Ata supozuan se endofitet, baktere dhe kërpudha të mira që jetojnë brenda bimëve, mund të kenë evoluar për të mbrojtur edhe pjalmuesit. Nëse ndihmojnë në shëndetin e tyre, këto mikrobe mund të prodhojnë përbërje antimikrobike. Studimet e fundit e kanë vërtetuar këtë ide.

Dr. Daniel May nga Washington College në SHBA tha se të njëjtat baktere të dobishme gjenden si në polenin e luleve, ashtu edhe në polenin e ruajtur në kosheret e bletëve. Këto baktere prodhojnë substanca që vrasin patogjenët si të bletëve ashtu edhe të bimëve, duke u bërë burim i mundshëm për trajtime të reja.

Ekipi u përqendrua te bakteret aktinobaktere, që janë burimi i shumicës së antibiotikëve modernë. Nga mostrat e mbledhura midis prillit dhe qershorit 2021, ata izoluan 34shtame të ndryshme, shumica të gjinisë Streptomyces, e njohur për prodhimin e ilaçeve antibakteriale, antikancerogjene dhe antiparazitare.

Kur këto shtame u testuan ndaj mikrobeve patogjene, pothuajse të gjitha ndaluan zhvillimin e mykut Aspergillus niger dhe disa vepruan kundër baktereve që shkaktojnë sëmundje te bletët dhe te bimët bujqësore.

Sipas May, këto baktere ngjiten në polen gjatë mbledhjes dhe transportohen në kosheret, ku ndihmojnë në mbrojtjen e kolonisë. Zbulimi hap rrugën për trajtime të ardhshme të bletëve përmes futjes së baktereve të dobishme në kosheret e tyre.