Në episodin e fundit të podcastit “Flasim”, Edi Rama kishte ftuar ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala — një bisedë që nisi me batutën e tij tipike: “karriera jote është shumë e gjatë, si fjalimet e mia”. Ironia nuk mungoi as në atmosferë: një kryeministër që flet gjatë, një ministre që prej tri javësh është në detyrë — nga të cilat një javë e ka kaluar në një konferencë në Londër — dhe një temë serioze, si sistemi shëndetësor, e kthyer në një rrëfim të lehtë “motivues”.
Rama e prezantoi Salën si profesioniste me karrierë jashtë vendit, ndërsa ajo përmendi doktoraturën në Cambridge dhe përvojat në sisteme të avancuara. Por CV-ja e saj tregon një tjetër realitet: përpara emërimit, ajo ka qenë “founding rector” e “Balkan University”, një projekt i lidhur me investimet e Klodian Allajbeut, pronar i spitaleve “American Hospital” dhe “Hygea”. Një detaj që e bën më të vështirë të besohet se ministrja e re “nuk njihte” shëndetësinë shqiptare.
Nëse spitalet shqiptare janë me standarde europiane, siç thotë ministrja Sala, mbetet pyetja: a flasim për të njëjtin sistem ku mungon personeli, medikamentet, pajisjet bazike dhe ku qytetarët detyrohen të paguajnë për shërbime që ligjërisht duhet të jenë falas? Apo ndoshta, për Evis Salën, Shqipëria ka hyrë tashmë në Europë – të paktën në imagjinatën e saj kjo ka ndodhur…/vna