Ballina Politika Tabaku: Taksa korrupsionit 30%, e paguan kushdo! Nga bujku tek familjet

Tabaku: Taksa korrupsionit 30%, e paguan kushdo! Nga bujku tek familjet

37
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se ka penguar debatin publik në Kuvend për shkak të frikës së zbulimit të korrupsion dhe abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian të destinuara për bujqësinë shqiptare, duke dëmtuar drejtpërdrejt fermerët dhe ekonominë rurale.

Në një video postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku tha se Parlamenti i ka mohuar opozitës të drejtën për të diskutuar në seancë të kaluar mbi fondet IPARD, të cilat Bashkimi Europian i kishte pezulluar që prej më shumë se një viti.

“Fondet e IPARD, një program prej 160 milionë eurosh që duhej të shkonte për fermerët shqiptarë, janë ndalur për shkak të një skeme masive mashtrimi dhe korrupsioni,” – deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi se mbi 33 milionë euro janë abuzuar përmes një kompanie konsulente që kishte marrë përsipër përzgjedhjen e projekteve fituese, duke ndarë fondet në mënyrë klienteliste.

“Një në tre tendera sot jepet pa garë, një në tre me vlerën limit dhe një në tre për të njëjtat kompani. Është taksa e korrupsionit që paguhet në çdo sektor – nga bujqësia tek koncesionet dhe tenderat publikë,” – shtoi ajo.

Sipas Tabakut, ky sistem i ndërtuar nga qeveria po pengon zhvillimin e fshatit dhe të biznesit të ndershëm shqiptar, duke i detyruar qytetarët të largohen nga vendi.

“Kjo taksë korrupsioni po ia merr frymën Shqipërisë. Është gangrena që ka njollosur institucionet dhe ka ndalur fondet e BE-së. Ky sistem duhet zhbërë që shqiptarët të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, jo jashtë vendit,” – përfundoi deputetja demokrate.