Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deklaroi se përdorimi i monopatinave elektrike përbën një shqetësim të shtuar për qytetarët dhe për këtë arsye nga e hëna do të ndalohet qarkullimi i përkohshëm i monopatinave në rrugë.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet.
Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kasa, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, tha ministrja Koçiu.