Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e arrestit në burg Juxhin Drazhit, anëtarit të grupit kriminal të Troplinëve që u ekstradua këtë fundjavë nga Spanja. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, teksa prokurori Vladimir Mara kërkoi vijimin e masës shtrënguese dhënë më herët në mungesë ndaj tij që u pranua nga togat e zeza. Drazhi akuzohet për ‘Trafikim i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal,
‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal’. Ai u ekstradua 3 muaj pas arrestimit të tij në Spanjë, ndërsa ndaj 34-vjeçarit rëndojnë disa akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga Norvegjia në Belgjikë. Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dhe disa pasuri të cilat dyshohet se i përkasin Juxhin Drazhit që i ka vënë nëpërmjet aktivitetit kriminal. Ndërkohë Elvis Doçi që njihet edhe me nofkën “Visi i Pojës”, i akuzuar nga SPAK si drejtues i organizatës kriminale të Troplinëve.
Drazhi u arrestua nga Guardia Civile Spanjolle në një banesë luksoze në qytetin e Malagës, ku strehohej me të gjitha kushtet dhe shërbimet e ofruara nga bashkëpunëtorët e tij. Në emër të tij rezulton i regjistruar në Durrës një biznes i tregtimit të automjeteve dhe dhënies me qira të tyre. Ndërkohë SPAK ka zbuluar dhe sekuestruar 10 pasuri në emër të shoqërisë “Majestic Konstruksion”. Pronari i kësaj shoqërie rezulton të jetë aktualisht Nazmi Shahini.
Kalimet e shpeshta të pronësisë së “Majestic Konstruksion” dhe të gjitha pasuritë e sipërfaqeve të tokave të regjistruara në hipotekë në emër të saj, sipas SPAK ngrenë dyshime të forta se i përkasin familjarëve të personit nën hetim Juxhin Drazhi. Juxhin Drazhi është gjithashtu lidhje shoqërore e Ramazan Rrajës, me të cilin gjithashtu dyshohet se janë në ortakëri biznesi në hotelin Majestik në Durrës.