Këto ditë në media qarkullojnë intervista të grave në moshë që shprehen se janë studente në Universitetin e Elbasanit por nuk dinë as pse, as ku, edhe as si.
Ina Zhupa kërkon transparencë dhe bën thirrje për shkundje të sistemit arsimor ku paratë publike të investohen për rininë dhe cilësinë e arsimit, jo për mbajtjen artificiale në këmbë të institucioneve.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Në hijen e një skandali në Universitetin e Elbasanit! Rregjistrime fiktive për të mbajtur degët hapur.
Nga raportimet mediatike, disa nga të regjistruarit si “studentë të vitit të parë” janë gra në moshë 53 vjeç e lart, të cilat nuk dinin as emrin e degës ku “studionin” dhe nuk kishin asnjë ide pse ishin regjistruar. Mungesa e artikulimit dhe informacionit me ngjan qartësisht se kemi të bëjmë me një abuzim sistemik dhe jo një rastësi.
Në gjykimin tim ka vend për të investiguar nëse jemi para një skandali në Universitetin e Elbasanit. Duket si një skemë me studentë fiktivë që janë regjistruar për të mbajtur programet studimore të hapura dhe për të siguruar orë pune për pedagogët.
E gjitha kjo, pavarësisht nëse janë fiktive apo reale, janë një simptomë e degradimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Dhe është një përpjekje e dështuar për të mbuluar plagën e madhe të shpopullimit dhe braktisjes së arsimit nga të rinjtë.
Nuk ka më studentë të vërtetë, sepse nuk ka më besim te sistemi. Sepse nuk ka politika reale që e mbajnë rininë këtu.
Kërkoj transparencë të plotë mbi këto raste, që nga dokumentacioni, aplikimi, regjistrimi dhe pjesëmarrja në procesin mësimor. A janë studente reale?!
Duhet një shkundje e sistemit arsimor dhe reforma të thella, ku paratë publike të investohen për rininë dhe cilësinë e arsimit, jo për mbajtjen artificiale në këmbë të institucioneve.