Ballina Opinion Sfida e Florit, mbledhja e votave opozitare në Tiranë…

Sfida e Florit, mbledhja e votave opozitare në Tiranë…

42
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në zgjedhjet e fundit bashkiake të Tiranës, Belind Këlliçi mori vetëm 100.4 mijë vota. Por në territorin e Bashkisë Tiranë, dy vjet më parë, kishin marrë plot 170 mijë vota partitë që e përkrahën Këlliçin (PD, LSI, PR, PDIU, PBDNJ, PAA, PDK, LN, ADR, ABEOK, PLDSH, LRE, dhe PBK). Një deficit prej pothuaj 70 mijë votash për Këlliçin, krahasuar me votat që kishin marrë dy vjet më parë partitë që e përkrahën atë në garën për Bashkinë Tiranë!

Nga një ekstrapolim i përafërt i rezultateve të sondazhit që zhvillova së fundmi për ABC NEWS, rezultoi se Florjan Binajn e votojnë rreth 113 mijë tiranas (në qoftë se zhvillohen zgjedhjet sot). Por në territorin e Bashkisë Tiranë, pesë muaj më parë, morën plot 157 mijë vota partitë që e përkrahin Binajn (PD, LSI, PR, PDIU, PBDNJ, PAA, PDK, NISMA-SHB, MUNDESIA, DZH, ADR dhe AKSH). Një deficit prej rreth 44 mijë votash për Binajn, krahasuar me votat që morën pesë muaj më parë partitë që e përkrahin aktualisht atë në garën për Bashkinë Tiranë!

Pa e mbuluar këtë deficit, Flori nuk mund t’i afrohet dot murit violet të Ogertës, që duket se do të mbetet në lartësinë e 160 mijë votave…

Në fakt, tre pyetje të tjera në sondazhin e sipërcituar e ilustrojnë sfidën herkuliane me të cilën përballet aktualisht Flori.

Vetëm 1/2 e të anketuarve që kishin votuar më 11 maj për dhjetë partitë e ndryshme opozitare deshin që përballë Ogertës të ishte Flori (1/10 e tyre donin Qorin dhe 4/10 donin një kandidat tjetër).

Ndër të gjithë banorët e rritur tiranas të të gjitha ngjyrave (blu, violet, gri), vetëm 1/7 besonin se Flori është vërtet një kandidat i pavarur. Ndërkohë, ndër të gjithë banorët e rritur tiranas të të gjitha ngjyrave (blu, violet, gri), vetëm 1/5 besonin se Flori mund t’i fitojë zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, kurse 4/5 besonin se do t’i fitojë Ogerta…