Një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës: Guardia di Finanza ka shkatërruar një organizatë kriminale të armatosur, e dyshuar për lidhje me ‘Ndrangheta-n e zonës Locride, e specializuar në organizimin dhe financimin e importeve të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut.
Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria e Milanos, çoi në arrestimin e 15 personave – 12 prej tyre u vendosën në burg, ndërsa 3 të tjerë në arrest shtëpie.
Sipas hetimeve, u zbulua një rrjet i dendur kriminal që vepronte kryesisht mes Lombardisë dhe Kalabrisë. Brenda një periudhe pak më të gjatë se dymbëdhjetë muaj, grupi kriminal arriti të trafikonte kokainë me një vlerë të vlerësuar mbi 18 milionë euro, duke përdorur sisteme të sofistikuara komunikimi të koduar dhe lidhje direkte me organizata kriminale në Kampania dhe Shqipëri.
Prokurori Marcello Viola bëri të ditur se hetimet zbuluan lidhje ndërmjet të dyshuarve dhe disa organizatave kriminale, përfshirë një me bazë në Shqipëri, me ndikim në Evropën Veriore dhe Amerikën e Jugut. Këto lidhje mundësuan importimin e sasive të mëdha të drogës, të cilat më pas shpërndaheshin në qendrat kryesore të trafikut të drogës në Lombardi.
Hetimet nxorën në pah “interesa ndërsektoriale” dhe një profil kriminal të lartë të anëtarëve të grupit. Çdo anëtar, përveçse pjesë e strukturës qëndrore, përfaqësonte edhe grupe të tjera të specializuara në trafik droge, duke sjellë një kontribut të veçantë që ndikoi ndjeshëm në rritjen e sasive të kokainës së trafikuar.
Vendimtare për suksesin e hetimit ishin materialet e siguruara përmes Europolit dhe Urdhrit Evropian të Hetimit, biseda të shumta të deshifruara dhe analizuar nga pajisje të koduara të teknologjisë më të fundit. Këto sisteme përdoreshin nga të dyshuarit për të planifikuar importet dhe pagesat, të cilat kryheshin përmes sistemit informal të transferimeve të njohur si “fei ch’ien”.
Kontrollet dhe kërkimet janë ende në zhvillim në provincat e Milanos, Pavias dhe Reggio Calabrias, me përfshirjen e njësive të specializuara të qenve për zbulimin e drogës dhe armëve.