Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për koncesionin e Portit të Limionit në Sarandë, e cila është pronë e ushtrisë.
Më konkretisht janë zbardhur emrat e 6 personave, ndaj të cilëve një ditë më parë, oficerët e BKH-së ushtruan kontrolle për çështjen në fjalë, ku burime për mediat bëjnë me dije se u janë sekuestruar celularët, si dhe u janë sekuestruar prova të tjera materiale, të cilat mund të ndihmojnë autoritetet.
Burime bëjnë me dije se BKH ka ushtruar kontrolle tek biznesmeni Artan Dulaku, si dhe tek Genard Kastrati, administrator i kompanisë “MARINA BAY SARANDA”, e cila ka fituar koncesionin. Kontrolli është kryer edhe në selinë e kompanisë “Maryna Bay Saranda”, ku Artan Dulaku është aksion me 50% të aksioneve.
Po ashtu, kontrolle janë ushtruar edhe tek ish-deputeti socialist Bardhyl Kollçaku, i cili ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Po të njëjta burime bëjnë me dije se ndër zyrtarët ku është ushtruar kontroll janë edhe administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, si dhe Teuta Balili, pjesë e stafit të Ministrisë së Infrastrukturës. Dyshohet se kontrollet e ushtruara ndaj Karakacit dhe Balilit lidhen me funksionet që ata kanë pasur në përgatitjen e dokumentacionit dhe kontratës midis shtetit dhe biznesmenit Dulaku, për marrjen në përdorim të pronës në Portin Ushtarak të Sarandës.
Në listën e personave ku është ushtruar kontroll figuron edhe Belioza Çoku, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-ministres së Mbrojties, Olta Xhaçka. Hetimi për këtë dosje po ndiqen nga prokurorja e posaçme Manjola Kajana.
Baza detare e portit të Limionit në Sarandë u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të vitit 2023, pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare. Këtë vendim e ka lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm, por edhe nga Gjykata e Lartë.
Pas vendimit të tre shkallëve të mëparshme të gjyqësorit, shoqëria “Marina Bay Saranda” iu drejtua Kushtetuese, por edhe kjo e fundit la në fuqi të njëjtin vendim.
Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Për këtë shkak, kontrata u kallëzua në SPAK nga ish komandanti i Flotës Artur Meçollari, i cili pretendon se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Ndërkohë që gjatë kësaj kohe për këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ministrja Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të forcave të armatosura, përfshirë ish-shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku.
RAMA SULMOI DREJTËSINË PËR SEKUESTRON
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e ka sulmuar drejtësinë për sekuestron e vendosur ndaj portit të Limianit në Sarandë. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së më 17 Mars të këtij vitit, Rama e konsideroi si një absurd këtë vendim të drejtësisë, teksa sipas tij, të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje.
Kreu i qeverisë deklaroi se ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh.
“Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.
Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.
Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes.” – tha Rama në atë kohë.
NJË VIDEO NË “DUART” E SPAK
Një ditë më parë, getari Elton Qyno, gjatë një interviste televizive tha se procedimi penal është regjistruar që në vitin 2022, por më 15 shtator të këtij viti, avokati Arben Llangozi ka dorëzuar një video 5 orëshe në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas gazetarit, pasi është administruar dhe kqyrur i gjithë diskutimi i kësaj videos ku shfaqen gjeneralët kryesorë të ushtrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, SPAK më pas ka kërkuar miratimin e Gjykatës për të ushtruar kontrolle.
“Për të diskutuar për këtë çështje unë do të jap disa detaje teknike të cilat vijnë jo vetëm nga aksioni i sotshëm pë kryerjen e kontrolleve dhe nga mënyra se si ka marrë spunto ky operacion. Kjo çështje është regjistruar qysh prej fillimit të vitit 2022, kryesisht është bazuar tek një denoncim të ish admiralit të flotës detare Artur Meçollari dhe më pas ka filluar me mbledhjen e dokumenteve, por ajo që i dha një spunto pas vendimit të sekuestros së kësaj prone. Thjesht është sekuestruar dhe është kaluar në menaxhim nga drejtoria e pronave të sekuestruara.
Por që të vijmë tek aksioni i sotshëm është një video 5 orësh që është dorëzuar në SPAK me 15 shtator të këtij viti nga avokati Arben Llanagozi i cili ka hyrë në dijeni të kësaj videoje dhe më pas e ka publikuar këtë video. Pikërisht pas publikimit, oficeri i çështjes që ndjek këtë hetim dhe prokurorja e dosjes kanë urdhëruar që kjo video të administrohej si provë materiale në SPAK. Dhe pasi është administruar dhe është këqyrur i gjithë diskutimi i kësaj videos ku shfaqen gjeneralët kryesorë të ushtrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë vendoset dhe i drejtohet Gjykatës me kërkesën për lejimin e kontrolleve në disa banesa siç janë bërë gjatë ditës së sotme tek dy biznesmen dhe tek ish Shefi i Shtabit të Ushtrisë..” – tha Qyno.