Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pasi në automjetin me të cilin udhëtonin u gjetën 10 kilogramë kanabis.
Blutë bëjnë me dije se lënda narkotike kishte si qëllim shitjen, ndërsa u sekuestruan edhe 1 armë gjahu pa leje, automjeti dhe 3 aparate celulare.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara për një rast të transportimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Aksi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. H., 34 vjeç, banues në Nikël dhe I. T., 43 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta dy shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjet tip “Wolswagen”, 2 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 10 kilogramë.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së 34-vjeçar iu gjet një armë gjahu, pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me lëndën narkotike, automjetin dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.







