Ballina Aktualitet Shqiponja “fluturon” drejt veriut/ Monumenti zhvendoset në Kukës

Shqiponja “fluturon” drejt veriut/ Monumenti zhvendoset në Kukës

45
0

Qyteti i Kukësit do të jetë tashmë shtëpia e re e monumentit të njohur “Shqiponja”, që dikur përshëndeste udhëtarët në hyrje të Tiranës. Punimet për vendosjen e saj në rrethrrotullimin e Gostilit kanë përfunduar, ndërsa po kryhen vetëm disa ndërhyrje dekorative për përfundimin e plotë të hapësirës përreth.

Vendi i ri i monumentit nuk është zgjedhur rastësisht. Rrethrrotullimi i Gostilit është pika që lidh Rrugën e Kombit me aeroportin ndërkombëtar të Kukësit.

Dhuruesi i monumentit për qytetin është biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani. Vepra, e cila është derdhur në çelik të rëndë, ka një lartësi prej 10 metrash, 6 metra vetë shqiponja dhe 4 metra bazamenti dhe përfaqëson një ndër simbolet më të njohura të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Shqiponja” u vendos fillimisht në vitin 2012 tek rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë, ku për gjashtë vite ishte një pikë referimi për kryeqytetin. Në vitin 2018 u hoq për shkak të punimeve të projektit të Unazës së Madhe.

Tani, monumenti simbolik i bashkimit dhe krenarisë kombëtare gjen shtëpinë e vet të re në Kukës, një qytet që vetë ka qenë simbol i qëndresës dhe mikpritjes shqiptare gjate luftës në Kosovë.