Kreu i PD Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitjeje”.
Pasi doli nga Prokuroria, Berisha foli për mediat, duke sulmuar sërish gjyqtaren e hetimit paraprak, Irena Gjoka dhe duke kërkuar shkarkimin e saj të menjëhershëm.
Berisha tha se ajo nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, pasi sipas tij ka fshehur dënimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Sipas Berishës, ajo mbahet në detyrë vetëm se po mban dosjen Ilir Metës pa asnjë fakt penal, pasi Gjoka është gjyqtarja e seancës paraprake.
“Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, pas zgjedhjes gjykatëse në kundërshtim me ligj, procedurë të kryer nga një gjykatë jo e caktuar me ligj.
Pra, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës. Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul. Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij”, tha Berisha.