Ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano është shtruar në një prej spitaleve private të vendit, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.
Sipas burimeve, gjendja paraqitet e rëndë.
Mësohet se Nano, 73 vjeçar, prej dy javësh ndodhet i shtruar në spital.
Nano u shtrua në spital edhe në shtator të vitit të kaluar për shkak të problemeve me frymëmarrjen, ku qëndroi për gati një muaj. Madje, në atë kohë ai iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje, pasi vuante nga sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike, e njohur ndryshe si SPOK, e cila shkakton probleme me frymëmarrjen.
Prej asaj kohe, ai mësohet se ka qëndruar në banesën e tij nën mbikëqyrjen e rreptë të mjekëve, por duket se shëndeti i tij është përkeqësuar sërish.
Fatos Nano, në karrierën e tij politike, ka qenë disa herë në krye të qeverisë. Në shkurt të vitit 1991, ai u emërua kryeministër me qëllim organizimin e zgjedhjeve të para demokratike pas rënies së komunizmit.
Në korrik të vitit 1993, ai u arrestua pas hetimeve për shpërdorim detyre dhe u lirua nga burgu në vitin 1997. Ndalimi i Nanos në atë kohë, brenda dhe jashtë vendit, u konsiderua politik.
Në vitin 1997, Nano u rikthye në krye të qeverisë, ndërsa në vitin 1999, gjykata rivlerësoi dënimin ndaj tij duke i dhënë vendimin e pafajësisë.
Deri në zgjedhjet e vitit 2005, Partia Socialiste qëndroi në pushtet, periudhë gjatë së cilës pati një sërë përplasjesh brenda forcës politike.
Pas humbjes së zgjedhjeve dhe rikthimit të Partisë Demokratike në qeveri, Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.