Policia e Tiranës arrestoi sot Ismet Gaxherrin, i cili u kap me armë zjarri gjatë lëvizjes me automjet në bulevardin “Bajram Curri”.
Gaxherri nuk është një person i panjohur për autoritetet. Në vitin 2015 ai mbeti i plagosur gjatë një incidenti të dhunshëm në një lokal në zonën e Dajtit, ku u vra Enton Nikaj. Në atë ngjarje, Gaxherri u sulmua nga Ervis Martinaj dhe grupi i tij.
Ndërkaq, për këtë ngjarje, Ervis Martinaj ka qenë në kërkim dhe deri sot rezulton i zhdukur pa gjurmë.
Sipas Prokurorisë, gjatë konfliktit ku mbeti viktimë Enton Nikaj, Ismet Gaxherri, i cili ishte shoqërues i Nikajt, u përpoq të ndërhynte për të qetësuar situatën, por u godit me tytën e pistoletës nga Martinaj dhe grupi i tij, duke mbetur i plagosur.