Ballina Aktualitet Një këpushë në krye të AMF

Një këpushë në krye të AMF

89
0

Këpushat janë parazitë oportunë gjakthithës që mund të ngjiten në lëkurën e shumë strehuesve të grupit të kurrizorëve dhe pasi e bëjnë këtë nuk shqiten më. Në terma figurativë, këpushat janë dhe fenomen njerëzor.

Mimoza Kaçi, drejtoresha e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, kërkon mandatin e tretë në krye të institucionit që duhet të rregullojë një nga tregjet më problematikë të vendit. Ashtu si askush tjetër para saj, zonja Kaçi me sa duket është e bindur se e meriton mandatin e tretë për shkak të sukseseve të mëdha që ka arritur në punën e saj.

Por cilat janë këto suksese?

Së pari, AMF është rregullatori i vetëm publik në planet që ka ideuar, ndërtuar, dhe mban me këmbëngulje në këmbë një kartel të hapur. Tregu i sigurimeve në Shqipëri funksionon haptazi si një kartel i pranuar nga AMF, Autoriteti i Konkurrencës dhe qeveria shqiptare.

Së dyti, zonja Kaçi është zyrtarja që implementoi sistemin e deformuar bonus-malus në tregun shqiptar të sigurimeve. Ai që duhet të çante kartelin, në fakt u shndërrua në një instrument zhvatje ndaj qytetarëve sepse të vetmen pasojë pati rritjen e çmimeve të siguracionit. Kjo e bën zonjën Kaçi arkitekten e Malus-Malusit.

Së treti, zonja Kaçi ka në CV-në e saj edhe një tjetër arritje. Gjatë kohës së mbretërimit të saj në AMF, Shqipëria pa t’i largohej investitori i huaj më serioz i tregut të sigurimeve. Grupi austriak Uniqa u largua nga Shqipëria dhe kompania më e madhë e tregut të sigurimeve në Shqipëri, tashmë është një biznes familjar.

Së katërti, në termat e raporti dëme/prime, tregu i sigurimeve është kthyer të paktën një dekadë pas. Edhe pse tregu në volum gjatë kësaj kohe është rritur më shumë se dy herë dhe ka arritur mbi 250 milionë euro, raporti dëme/prime është më pak se 30 për qind. Dhe këtë vit, pas largimit të Uniqas po bie edhe më shumë.

Dhe këto nuk mund të ndodhin nëse rregullatori nuk është i kapur nga industria.

Këto janë meritat për të cilat zonja Kaçi kërkon një tjetër mandat në krye të AMF-së. /Kapitali