Radio-Televizioni i Serbisë (RTS) ka kërkuar falje ndaj shikuesve pasi nuk transmetoi një pjesë të konsiderueshme të pamjeve nga festimet e Listës Studentore pas zgjedhjeve të së dielës.
Në edicionin e parë informativ të RTS-së, të realizuar nga Radio-Televizioni i Vojvodinës (RTV), moderatori Goran Eror e nisi edicionin duke lexuar një deklaratë ndjese për mos transmetimin e pamjeve të festimeve, pavarësisht kundërshtimeve nga një pjesë e punonjësve. Edicioni informativ u hap me pamje nga festimet e zhvilluara mbrëmjen e kaluar në rrugët e Novi Sadit dhe qyteteve të tjera të Serbisë.
Gjatë deklaratës, Eror pranoi se transmetuesi publik nuk e kishte përmbushur prej vitesh misionin e tij. “Transmetuesi publik nuk e ka përmbushur funksionin e tij për shumë vite. Janë heshtur çështje, janë mbyllur sytë para problemeve, është raportuar në mënyrë të njëanshme dhe pa kritika. Nuk janë bërë pyetjet e duhura, ose pyetjet nuk janë bërë fare. Për këtë arsye, u kemi borxh shikuesve një kërkimfalje”, deklaroi moderatori.
Kërkimfalja vjen pas kritikave për mënyrën se si televizioni publik trajtoi mbulimin e festimeve të Listës Studentore pas zgjedhjeve.
Një pjesë e punonjësve të Radio-Televizionit të Vojvodinës (RTV) janë përpjekur që gazetarët dhe redaktorët e këtij institucioni të punojnë të lirë dhe në përputhje me parimet etike, deklaroi moderatori Goran Eror në edicionin informativ të televizionit. “Fatkeqësisht, nuk e fituam betejën në kohë, por besojmë se është e rëndësishme të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë luftë”, lexoi Eror gjatë transmetimit.







