Ballina Rajoni Çfarë e pret Serbinë tani pas rënies së Vuçiqit?

Çfarë e pret Serbinë tani pas rënies së Vuçiqit?

36
0

Për dy vjet, një lëvizje protestuese e udhëhequr nga studentët u përpoq ta largonte nga pushteti Aleksandar Vuçiqin, i cili e drejtonte Serbinë, qoftë si president, qoftë si kryeministër, që nga viti 2014. Gjatë fundjavës, ata e arritën qëllimin e vet. Megjithatë, pa një udhëheqës të caktuar dhe pa ndonjë program të qartë politik, analistët thonë se beteja e tyre e vërtetë sapo ka filluar.

Lista Studentore e përqendroi programin e vet zgjedhor te lufta kundër korrupsionit, forcimi i institucioneve të pavarura, arsimi dhe përmirësimi i standardit të jetesës. Pavarësisht pasigurive lidhur me drejtimin që do të marrë kjo lëvizje e re politike, votuesit i besuan asaj, të zhgënjyer nga rezultatet e arritura nga partitë tradicionale politike.

Kjo kulmoi me një fitore bindëse në zgjedhje, ku lëvizja i fitoi 139 nga 250 vendet në Parlament. Pasi Parlamenti të nisë punën, pas shpalljes s rezultateve zyrtare, kandidatët e Listës Studentore do të kenë 90 ditë kohë për ta formuar qeverinë.

Pikërisht këtu fillon pasiguria.

Lista zgjedhore e udhëhequr nga studentët do të hyjë për herë të parë në Parlament. Ajo nuk ka udhëheqës të qartë dhe përbëhet kryesisht nga ekspertë dhe akademikë të fushave të ndryshme. Lëvizja mund t’i ketë votat e mjaftueshme për ta formuar e vetme qeverinë, por nuk e ka një kandidat të qartë për kryeministër.

Kardiologu Ilija Srdanoviq, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Novi Sadit, ishte në krye të listës zgjedhore, ku përfshiheshin edhe figura të njohura, si ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Dejan Soshkiq, dhe ish-ylli i basketbollit, Dejan Bodiroga.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është prezantuar publikisht si kandidat për kryeministër. Po ashtu, ende nuk janë veçuar emra të kandidatëve për ministra.

“Ata lindën nga pakënaqësia me krejt gjërat që nuk u pëlqenin në këtë vend”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë eksperti për Ballkanin, Nikola Xaviereff-Weckwerth.

“Strategjia e tyre ishte të mos kishin një figurë të vetme në krye të lëvizjes, në mënyrë që pala tjetër, partia e Vuçiqit, të mos e kishte atë individ në shënjestër”, shtoi ai.

Tragjedia në stacionin e trenit në Novi Sad

Lëvizja protestuese u nxit nga shembja e një strehe të sapondërtuar në një stacion treni në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024.

Gjithsej 16 njerëz e humbën jetën në këtë tragjedi. Studentët pretenduan se shembja ishte pasojë e punimeve të dobëta dhe se përgjegjësia mund të lidhej me korrupsionin qeveritar dhe kompaninë kineze që kishte fituar kontratën për ndërtimin e strehës.

Në programin e saj zgjedhor, lëvizja studentore renditi ndër synimet transparencën e plotë në prokurimin publik, auditimin e projekteve të financuara nga shteti dhe publikimin e të gjitha kontratave dhe tenderëve.

Propozimet e saj përfshijnë gjithashtu konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme dhe zbatimin e masave të lustracionit ndaj zyrtarëve publikë.

“Serbia po përjeton të njëjtën energji që pamë kur u rrëzua [presidenti i ndjerë serb, Sllobodan] Millosheviq”, tha për Radion Evropa e Lirë Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me seli në Uashington.

“Por historia nuk duhet të përsëritet: largimi i Vuçiqit është vetëm fillimi. Tani Serbia duhet ta çrrënjosë sistemin e korrupsionit dhe kontrollit autoritar që e mbajti atë në pushtet, e jo thjesht t’i zëvendësojë njerëzit në krye… Kjo është mundësia e Serbisë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme demokratike dhe për ta vendosur vendin në një rrugë të qartë drejt Perëndimit”, shtoi ajo.

Ndër vite, Vuçiqi kultivoi lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin, duke e pozicionuar Serbinë si një nga partneret e tyre më të ngushta në Evropë.

Lista Studentore përfshin përfaqësues nga të dyja anët e spektrit politik. Kjo krijon mundësi për mospajtime mes anëtarëve të saj, duke pasur parasysh përplasjet e brendshme në Serbi lidhur me shkallën e afërsisë që duhet të ketë vendi me Moskën, në një kohë kur Serbia është gjithashtu vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pritet që politika e lëvizjes për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë të mbetet e pandryshuar. Lista Studentore e ka arsyetuar këtë qëndrim me argumentin se sanksionet, si shprehje e një qëndrimi politik, nuk ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave politike dhe të sigurisë.

“Sfida e menjëhershme do të jetë shndërrimi i vrullit të protestave në reforma institucionale”, tha Bojana Zoriq nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë.

Ajo tha se mundësia për reforma mund të jetë “e kufizuar në kohë”, veçanërisht për shkak të rezistencës së mundshme brenda institucioneve shtetërore.

“Një qeveri ekspertësh e mbështetur nga studentët do të duhej të përballej me rrjetet e konsoliduara politike, të rikthente besimin në institucione dhe të krijonte kushtet për zgjedhje vërtet konkurruese”, tha ajo.

“Lista e mbështetur nga studentët mund të përqafojë vlerat demokratike evropiane, por kjo nuk përkthehet patjetër në një politikë të jashtme pro-BE-së. Programi i saj nuk jep shumë qartësi lidhur me përparësitë e politikës së jashtme”.

Politika rajonale përbën një tjetër pikë të mundshme përplasjesh, siç ndodh rëndom në Ballkan.

Lista Studentore kundërshton njohjen e Kosovës, duke ndjekur qëndrimin zyrtar të Serbisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit e Listës Studentore iu referuan Kushtetutës së Serbisë, preambula e së cilës u ndryshua në vitin 2006 për të përcaktuar se Kosova është pjesë e Serbisë.

Lista tha gjithashtu se do ta “ruajë pozitën kushtetuese dhe kompetencat e përcaktuara” të Republika Sërpska, entitetit me shumicë serbe brenda Bosnje e Hercegovinës. / REL