Ballina Kuriozitete Astronomët sfidojnë teoritë ekzistuese pas zbulimit në galaktikën GN20

Astronomët sfidojnë teoritë ekzistuese pas zbulimit në galaktikën GN20

54
0

Astronomët që përdorin teleskopin hapësinor “James Webb Space Telescope” (JWST) kanë zbuluar një shufër yjore gjigante në galaktikën e largët GN20, e vëzhguar vetëm 1,5 miliardë vjet pas Shpërthimit të Madh (Big Bang), sipas “Daily Galaxy”.

Zbulimi sfidon teoritë ekzistuese mbi formimin dhe evolucionin e galaktikave në universin e hershëm.

Shufrat yjore janë struktura të zgjatura me yje që shtrihen në qendër të galaktikave dhe luajnë rol kyç në evolucionin e tyre. Ato drejtojnë gazin drejt bërthamës galaktike, duke nxitur formimin e yjeve, ushqyer vrimat e zeza qendrore dhe ndihmuar në krijimin e bërthamave të dendura. Edhe galaktika jonë, Milky Way, (Rruga e Qumështit) përmban një strukturë të tillë.

Sipas modeleve tradicionale, universi i hershëm ishte shumë i pasur me gaz, gjë që mendohej se pengonte ose vononte krijimin e këtyre strukturave. Për më tepër, besohej se shufrat yjore kërkonin miliarda vite për t’u zhvilluar. Prandaj, zbulimi i një shufre me gjatësi rreth shtatë kiloparsekë në GN20 ka habitur komunitetin shkencor.

Falë instrumenteve MIRI dhe NIRCam të JWST-së, studiuesit arritën të depërtojnë përmes reve të dendura të pluhurit kozmik dhe të hartojnë strukturën e brendshme të galaktikës. Vëzhgimet e kryera gjithashtu nga Northern Extended Millimeter Array treguan një përputhje të fortë midis shufrës së yjeve dhe asaj të pluhurit, duke dëshmuar lidhjen e ngushtë mes yjeve, gazit dhe pluhurit në evolucionin galaktik.

Shkencëtarët besojnë se gazi shumë turbulent në brendësi të galaktikës ka luajtur rol vendimtar në stabilizimin dhe rritjen e shpejtë të kësaj strukture. Kjo sugjeron se galaktikat e hershme mund të kenë zhvilluar organizim kompleks shumë më shpejt sesa mendohej më parë.

Shufra e GN20 nuk është thjesht një veçori strukturore. Ajo kanalizon gazin drejt qendrës së galaktikës, duke nxitur një shpërthim intensiv të formimit të yjeve dhe ndoshta duke ushqyer një vrimë të zezë supermasive. Me një normë formimi prej mbi 1,000 masash diellore në vit, GN20 mund të përfaqësojë një fazë kyçe në evolucionin e galaktikave masive që shihen sot në univers.