Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, ka folur mbi protestën që po zhvillohet në Shqipëri.
Qori tha se pas protestës qëndron shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Sipas tij, Rama ka vendosur të përballet duke përdorur dhunë dhe jo duke respektuar demokracinë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Ditët e fundit të protestës, komenti i kryeministrit?
Qori: Kennedy, në vitin 1962, u drejtohej diktatorëve të Amerikës Latine, se kush e bën të pamundur revolucionin paqësor, e bën të mundur revolucionin e dhunshëm. Shqiptarët gjithë këto ditë protestuan paqësisht, Rama nuk dëgjoi asnjë kërkesë të protestuesve. Dua t’ju kujtoj se para disa javësh, kur shkoi në SHBA, projekti i Kushnerit do të vazhdojë, sikur s’ka ndodhur asgjë. Po ashtu, për ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, Rama ka thënë që ky ligj nuk ka asnjë problem.
Ja ku jemi në tetor dhe, duke nisur nga studentët, pati një radikalizim. Kam qenë përditë në protestë, policia është përgjigjur me dhunë joproporcionale. Janë me dhjetëra rastet e qytetarëve të goditur me plumba gome. Është e ndaluar të qëllosh me plumba gome mbi brezin. Unë disa herë u kam bërtitur policëve të ulin tytën kur qëllojnë me plumba gome.
Kolegu im, Alfred Bushi, është arrestuar si protestues. E kanë mbajtur 72 orë në arrest dhe, në mjediset e komisariatit numër 4, e kanë goditur policë me maskë. Ka dëshmitarë që thonë se i janë sulur kur kanë marrë vesh që është profesor.
Rama, në vend t’i përgjigjet politikisht krizës, po përgjigjet me policë. Në vend që të japë dorëheqjen, Rama ka thënë që s’do të marrë asgjë në konsideratë. Nëse në protestë ka 10 mijë vetë dhe një person gjuan me gurë, sipas Ramës, përgjegjës janë 9999 të tjerët. Nëse hyn në fuqi, kjo pamundësohet.
Rakipi: A ka gjasa të jenë të suksesshëm?
Qori: Kur tjetri nuk ka frikë nga plumbi i gomës, do të thotë se këto masa nuk do të kenë efekt. Është një popull i tërë që do të ketë ndryshim. Rama është simbol i së keqes.
Demalia: Sa është populli shqiptar?
Qori: Shumica dërrmuese.
Demalia: Po flisni të gjithë në emër të popullit, ti je si ata të ’46-ës.
Qori: Asgjë s’ka ndodhur në ’46-ën, ka ndodhur në ’44-ën. Kur flasim në emër të popullit, flasim për një frymë. Përmasat e protestës kanë qenë më të mëdha. Ky është një tregues që mbrapa protestuesve qëndron populli shqiptar. Shkohet me një qeveri jopartiake në qeveri dhe aty testohet. Përpara më pak se një viti, në Bullgari, kryeministri u përball me protesta si në Shqipëri dhe dha dorëheqjen. Precedentë ka sa të duash. Rama nuk ka minimumin e përgjegjësisë dhe ka vendosur zgjidhje policore.
Demalia: Demagog.
Qori: PS-ja, në një kohë tjetër, po të shihej e sulmuar selia, do të kishte dalë një mësues për ta mbrojtur. Tani që është e Ramës dhe Agasit, dalin halabakë ta mbrojnë.







