Google ka nxjerr një mjet të ri të inteligjencës artificiale që u lejon përdoruesve të krijojnë imazhe të rreme duke vendosur pothuajse çdo element mbi pamjet satelitore të platformës së njohur Google Earth.
Kompania ka integruar gjeneratorin e imazheve me AI, Nano Banana 2, në Google Earth, duke u mundësuar përdoruesve që përmes komandave me tekst të krijojnë skenarë të rremë mbi bazën e pamjeve reale satelitore, ajrore ose 3D. Këto imazhe më pas mund të shkarkohen dhe të shpërndahen në platforma të tjera.
Ekspertët kanë ngritur shqetësime se ky funksion mund të shfrytëzohet për përhapjen e dezinformimit, pasi imazhet e krijuara mbajnë pamjen dhe besueshmërinë e hartave të Google. Ata paralajmërojnë se aktorë keqdashës mund ta përdorin këtë teknologji për të manipuluar opinionin publik.
Gjatë testimeve të kryera nga BBC Verify, u krijuan imazhe të rreme si Kulla Eiffel e shembur, një gropë gjigante që përpin Piramidën e Madhe të Gizës, si edhe tanke ruse në qendër të Kievit. Ky funksion u bë i disponueshëm të enjten.
Google nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të BBC Verify lidhur me rezultatet e testimeve, por në një postim në rrjetet sociale deklaroi se “e merr shumë seriozisht dezinformimin” dhe se “ndalon krijimin e imazheve për tema të dëmshme, ndërsa përditëson vazhdimisht masat mbrojtëse”.
Eksperti i inteligjencës artificiale dhe dezinformimit, Henk van Ess, theksoi rreziqet e këtij funksioni duke krijuar imazhe të rreme të një centrali bërthamor që nuk ekziston në Iran, një kampi refugjatësh në kufirin SHBA-Meksikë dhe një spitali të rremë në Gaza me një krater bombe pranë tij.
Sipas tij, Google po lejon që pamjet e “trilluara” të lidhen me koordinata reale dhe me imazhe autentike satelitore.
“Falsifikimi nuk ka nevojë të duket bindës më vete. Ai fiton besueshmëri nga harta mbi të cilën është krijuar”, tha Van Ess.
Google deklaron se çdo përmbajtje e krijuar nga mjetet e saj të inteligjencës artificiale përmban filigranë (watermark) të padukshëm që tregojnë se imazhi është i manipuluar ose i krijuar me AI. Kompania shton se përdoruesit që kanë dyshime mund ta verifikojnë një imazh përmes aplikacionit Gemini ose funksionit Google Lens.
Testimet e BBC Verify treguan se këto mjete funksionojnë në shumicën e rasteve, por u zbulua gjithashtu se kontrollet mund të anashkalohen dhe Gemini mund të mashtrohet duke identifikuar si reale disa imazhe të rreme të krijuara në Google Earth.
Edhe disa programe të jashtme për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara me AI nuk arritën t’i identifikonin këto imazhe si të manipuluara.
Studiuesi i zbulimit të përmbajtjeve me AI, Henry Ajder, tha për BBC Verify se krijimi i pamjeve të rreme në zona konflikti mund të jetë veçanërisht destabilizues, sidomos kur ngjarjet zhvillohen me shpejtësi dhe informacioni është i kufizuar.
“Gazetarët mund ta verifikojnë një imazh përpara se ta raportojnë, por jo të gjithë do ta bëjnë këtë”, u shpreh ai.
Google këmbëngul se modeli i saj i inteligjencës artificiale përmban rregulla që ndalojnë krijimin e imazheve për tema të dëmshme. Megjithatë, BBC Verify zbuloi se me ndryshime të vogla në formulimin e kërkesave, këto kufizime mund të anashkalohen.
Për shembull, një kërkesë për të krijuar një platformë ekzekutimi pranë Parlamentit britanik u refuzua, por një formulim më i përgjithshëm u pranua dhe imazhi u krijua.
Në një rast tjetër, sistemi refuzoi të krijonte një imazh ku emri “Trump” ishte kositur mbi lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, por lejoi krijimin e një kopshti komunitar në të njëjtin vend.
Sipas Ajder, në një kohë kur interneti po mbushet me përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale, platformat që konsideroheshin të besueshme dhe të paprekura nga AI kanë një rëndësi të veçantë, sidomos për gazetarët dhe ata që punojnë në zona krizash.
“Është shqetësuese, sepse edhe një tjetër burim tradicionalisht i besueshëm informacioni po vihet në dyshim nga mundësia që përmbajtja të jetë krijuar me AI”, tha ai.
Për shumë përdorues, Google Earth është pika kryesore e aksesit në pamjet satelitore publike dhe përdoret për të analizuar zona të vështira për t’u arritur.
Analisti gjeohapësinor dhe bashkëthemeluesi i organizatës jofitimprurëse Common Space, Bill Greer, deklaroi për BBC Verify se kjo teknologji mund të dëmtojë seriozisht besimin e publikut, pasi pamjet satelitore historikisht janë konsideruar një nga burimet më të besueshme të informacionit.
Ai shtoi se imazhet satelitore të falsifikuara janë përdorur edhe më parë për të përhapur dezinformim dhe paralajmëroi se, ndërsa qeveritë po kufizojnë gjithnjë e më shumë aksesin në të dhënat reale, ka gjasa të shohim më shumë imazhe të rreme dhe më pak pamje autentike, duke e gërryer edhe më tej besimin e publikut.







