Kur shpërtheu skandali i udhëtimeve me avion privat të Edi Ramës, që i kushtuan mbi 21 milionë euro taksapaguesve shqiptarë për një kohë të shkurtër, ndoshta jo shumëkush e vuri re se shumë prej fluturimeve ishin përdorur që Edi Rama të shkonte nëpër forume, konferenca apo seminare globale.
Nëse shihni njoftimet zyrtare të Edi Ramës, pas farsës së 11 majit, ai nuk ka realizuar asnjë vizitë zyrtare. Por si zakonisht, të gjitha njoftimet janë për forume, seminare, samite dhe konferenca.
Një çmenduri e tillë vazhdoi edhe sot, kur vetëm pakëz ditë pasi kishte folur në një forum në Londër, ai u shfaq në një tjetër forum për sigurinë globale në Berlin.
Që kryeministri i një vendi, të vogël apo të madh, të shkojë njëherë në vit në një forum- maksimumi dy- kjo është normale. Por që të fluturosh çdo javë nëpër forume, ky është më shumë se një skandal.
Dhe këtu nuk po llogarisim shpenzimet prej miliona eurosh që rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve.
Por prania e Ramës në këto forume, që sponsorizohen direkt nga George Soros ose nga i ashtuquajturi ‘rrjet i merimangave’ i të majtës, ka një tjetër qëllim.
E majta globale po e përdor atë si një ‘qen sulmi’. Kur nuk është duke sulmuar apo tallur të djathtën amerikanë dhe presidentin e SHBA, Donald Trump, do e gjesh duke sulmuar të djathtën britanike e më së shumti liderin që udhëheq çdo sondazh, Nigel Farage.
Nëse e majta po e përdor kryeministrin shqiptar për të tallur liderët e rëndësishëm të së djathtës botërore, kjo është një gjë shumë e rëndë edhe për shqiptarët.
Por ka diçka akoma më të rëndë në këtë histori.
Kur sheh misionin e shpallur dhe historikun e të ftuarve të këtyre forumeve, e kupton se kryeministri autokrat i vendit më të varfër dhe më të korruptuar në Europë, jo vetëm që nuk duhej të ishte folës aty, por duhej të ishte subjekt analizimi si një e keqe që duhet shkulur.
Në ato forume duhej të ishin të ftuar studiues, politologë, sociologë, ekspertë ekonomie, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.
Nëse këto forume do funksiononin normalisht, sot aty duhej të ishte një politolog duke folur për raportin e OSBE/ODIHR që konstatoi se zgjedhjet në Shqipëri kanë vdekur, dhe ky nuk është një rrezik vetëm për Shqipërinë, por edhe një rrezik në nivel global.
Nëse këto forume do funksiononin normalisht, aty sot duhej të ishte i ftuar një studiues për të treguar se si kartelet e drogës kanë kapur shtetin shqiptar, dhe ky nuk është një rrezik vetëm për Shqipërinë, por edhe një rrezik në nivel global.
Nëse këto forume do funksiononin normalisht, aty sot duhej të ishte i ftuar një ekspert ekonomie për të treguar se si droga ka deformuar ekonominë shqiptare në themel, dhe ky nuk është një rrezik vetëm për Shqipërinë, por është edhe një rrezik në nivel global.
Nëse këto forume do të funksiononin normalisht, aty sot duhej të ishte i ftuar një sociolog për të treguar se korrupsioni ka kapur çdo qelizë të shtetit shqiptar dhe ky nuk është një rrezik vetëm për Shqipërinë, por është edhe një rrezik në nivel global.
Nëse këto forume do të funksiononin normalisht, aty sot duhej të ishte një gazetar apo intelektual për të treguar se si është kapur media nga autokrati Rama dhe ky model është rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por është edhe një rrezik në nivel global.
Nëse këto forume do funksiononin normalisht, aty sot duhej të ishte i ftuar një përfaqësues i shoqërisë civile për të treguar se Edi Rama ka kapur të gjitha pushtetet, dhe ky model nuk është një rrezik vetëm për Shqipërinë, por është edhe një rrezik në nivel global.
Kur ka qenë hera e fundit që keni parë dikë tjetër nga Shqipëria, përveç Edi Ramës, që të flasë në këto forume?
Asnjëherë. Sepse qëllimi i Edi Ramës është të kontrollojë vetë edhe narrativën, edhe perceptimin në nivel global.
Kjo është gjëja më e rëndë në historinë e këtyre forumeve.
Kjo është edhe arsyeja se pse në SHBA vetëm tani kanë nisur të hetojnë këtë ‘rrjetë merimangash’ që ka shkaktuar kaq shumë dëme.
Se kur do vijë dita e Europës të merret me ta, kjo zor të thuhet./syri







