Ballina Kronika Me gomone me drogë nga Shqipëria, kontrollohet banesa e ‘Çimonit’ në Sarandë

Me gomone me drogë nga Shqipëria, kontrollohet banesa e ‘Çimonit’ në Sarandë

137
0

Është peshuar sasia e drogës e gjetur dje në gomonen gjysëm të fundosur, që lëshoi sinjalin “SOS” në hapësirën detare midis Korfuzit dhe Igumenicës. Pas ekzaminimeve në spitalin e Filatit dhe shoqërimit më pas në policinë e Igumenicës të 50-vjeçarit nga Saranda, Edmond Musa i njohur si “Çimoni”, policia greke ka ushtruar kontroll në mjetin lundrues gjysëm të fundosur. Mjeti ishte sjellë nga rrymat pranë brigjeve të Sajadhës dhe brenda tij policia gjeti rreth 80 kg marijuanë. Ende nuk dihet nëse ishte më e madhe sasia e drogës së transportuar me gomone nga Saranda, pasi skafisti duke parë që kishte pësuar avari, mund të ketë hedhur në det një pjesë të ngarkesës.

Shkak i avarisë mendohet të ketë qenë deti i trazuar, çka ka detyruar 50-vjeçarin nga Saranda të lëshojë sinjalin “SOS” dhe në ndihmë të tij janë nisur mjetet lundruese të policisë kufitare të Korfuzit dhe Igumenicës, duke e gjetur atë në zonën ishullore “Prasoudi”.

Për ngjarjen ka pasur bashkëpunim edhe më policinë kufitare të Sarandës, efektivët e së cilës në bashkëpunim me oficerët e sektorit të anti-drogës kanë ushtruar kontrolle banesash gjatë pasdites së të premtes në Sarandë, por deri tani pa rezultat. Kontroll është ushtruar në banesën e Edmond Musait dhe familjarëve të tij.

Paraprakisht mendohet se mjeti lundrues është nisur nga Saranda mbrëmjen e së enjtes dhe ka pësuar avari në orët e para të mëngjesit të së premtes. Pasi vetë skafisti ka kërkuar ndihmë, Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit (EKSED) e Shtabit të Përgjithshëm të Marinës greke ka informuar autoritetet e Korfuzit dhe Igumenicës, të cilat kanë gjetur mjetin në të gdhirë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, po hetohet në lidhje me këtë rast të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas burimeve policore, 50-vjeçari Edmond Musa, njihet si një prej skafistëve më të vjetër në qytet, i dyshuar shpesh se kryente linjën e trafikut të drogës drejt Korfuzit me gomone ose jet-ski.