Ballina Aktualitet Biometric Update: Shqipëria planifikon nisjen e ID-së digjitale në vitin 2026

Biometric Update: Shqipëria planifikon nisjen e ID-së digjitale në vitin 2026

90
0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar nisjen e afërt të sistemit të identitetit digjital të vendit si një nga shtysat kryesore të transformimit të tij digjital. Rama foli gjatë një aktiviteti të mbajtur dje për prezantimin e projektit të ID-së digjitale, duke theksuar se, sapo të vihet në zbatim, sistemi do ta pozicionojë vendin si një lider rajonal në ofrimin efikas të shërbimeve publike dhe në inovacion.

Demonstrimi tregoi se si sistemi i identitetit digjital do t’i shërbejë vendit dhe do të kontribuojë në ekonominë digjitale. Dy kompani, IdentiTek dhe AlbTrace, po bashkëpunojnë me qeverinë për zbatimin e projekteve të transformimit digjital. IdentiTek gjithashtu nënshkroi një kontratë në vitin 2023 për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit kombëtar të Shqipërisë. AlbTrace është në pronësi 51 % të Shtypshkronjës së Sigurisë të Shqipërisë dhe 49 % të O&S Security and Solutions LLP, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila nga ana e saj është 40 % në pronësi të Sicpa Middle East Investments Holding LTD, një degë e kompanisë zvicerane Sicpa.

IdentiTek është kompani shtetërore që mori në dorëzyrë zyrat, pajisjet dhe punonjësit e Aleat kur mori kontratën për dokumentet e identitetit në vitin 2023, sipas mediave vendase të kohës. Kompania trashëgoi gjithashtu partneritetin e pararendësit të saj me Idemia, dhe vepron nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se ID-ja digjitale është një komponent i rëndësishëm i infrastrukturës publike digjitale (DPI) të Shqipërisë dhe se prezantimi i saj vjen një vit përpara politikës së ngjashme të Bashkimit Europian. “Personalisht, e konsideroj këtë një bekim të madh të epokës sonë, sepse përmes teknologjisë digjitale dhe, së fundmi, falë inteligjencës artificiale, kombet mund të imagjinojnë kapërcimin e epokave të tëra që përndryshe do të ishte e pamundur të përshkoheshin me ritmin linear të përparimit që parapriu epokën teknologjike,” tha Rama.

Ai u ndal në rëndësinë e ID-së digjitale dhe rolin e saj në planin ambicioz “Shqipëria 2030”, duke e quajtur një “instrument thelbësor për zbatimin e planit tonë për kalimin nga paratë fizike te transaksionet digjitale”. “Kjo nënkupton shumë më tepër siguri për konsumatorët; shumë më tepër transparencë për bizneset; dhe ndjeshëm më shumë të ardhura nga ajo pjesë që me të drejtë u përket konsumatorëve, por që shpesh mbetet jashtë për shkak të informalitetit dhe manovrimeve të ndryshme — praktika që do të reduktohen ndjeshëm, në mos eliminohen krejtësisht, falë transaksioneve digjitale,” theksoi ai.

Rama përmendi gjithashtu sektorë si shëndetësia, arsimi dhe transporti, ku teknologjitë si ID-ja digjitale dhe inteligjenca artificiale mund të ndihmojnë në lehtësimin e ofrimit të shërbimeve. Ministria e Punëve të Brendshme, sipas tij, planifikon t’u ofrojë prindërve informacion mbi jetën e përditshme të fëmijëve të tyre në shkollë, për të ndihmuar në përmirësimin e ndjekjes mësimore dhe uljen e dhunës në shkolla.

“Besoj fort se me këto projekte dhe me programin e identitetit digjital, do të jemi në gjendje ta çojmë ‘Shqipërinë 2030’ në një nivel krejtësisht tjetër nga ku ndodhemi sot,” shprehu optimizëm Kryeministri. “Do të mundësojmë fuqizimin e qytetarëve në mënyra pothuajse të paimagjinueshme, do ta bëjmë jetën e përditshme shumë më të lehtë dhe do të mundësojmë ndërveprime që aktualisht kërkojnë më shumë kohë, energji dhe, në mënyrë të pashmangshme, më shumë stres.”

Kryeministri njoftoi gjithashtu zgjerimin e projektit “Smart City”, i cili do të digjitalizojë sistemet e monitorimit të trafikut në qytetet e vendit, duke filluar nga Tirana.

Ndërkohë, janë ngritur shqetësime në lidhje me përdorimin e sistemeve të mbikëqyrjes biometrike në Ballkan, për çështje që lidhen me privatësinë dhe të drejtat e njeriut. Muajin e kaluar, Shqipëria u bë vendi i parë në botë që krijoi një “ministër” me inteligjencë artificiale si pjesë të përpjekjeve për avancimin e transformimit digjital. Diella, siç quhet ministrja, u emërua Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale dhe mori përgjegjësinë për të mbikëqyrur procedurat e prokurimeve publike./Përshtati nga Biometric Updateekofin.al