Ballina Kosovë Muzeu që ruan historinë e nëntokës së Trepçës

Muzeu që ruan historinë e nëntokës së Trepçës

77
0

Në zemër të Mitrovicës ndodhet një thesar i rrallë – Muzeu i Kristaleve, që zbulon përmes dritës dhe formave të gurëve pasurinë e nëntokës së Trepçës. Edhe pse muzeu është hapur vite më parë, ai vazhdon të pasurohet me eksponate të reja dhe mbetet një ndër më të veçantët në rajon.

Ibrahim Musa, inxhinier i gjeologjisë dhe ciceron i muzeut, tregon pwr KosovaPress, historinë dhe rëndësinë që ka ky vend për ruajtjen e trashëgimisë minerale të Kosovës.Duke zbuluar sekretet e Trepçës dhe treguar se si çdo mineral ruan në vetvete një histori të veçantë.

Ai tha se iniciativa për hapjen e muzeut daton që nga viti 1964, nga vetë minatorët.

Musa: Iniciativa për hapjen e muzeut daton që nga viti 1964

“Në vitin 1964 është marrë iniciativa për me u hap ky muze, sepse ka pasur shumë minerale brenda dhe për shkak të bukurisë së kristaleve të Trepçës. Atëherë, në atë kohë, minatorët kanë filluar ngadalë-ngadalë me grumbullu dhe e kanë hapur muzeun. Përpara ka qenë një muze i vjetër deri në vitin 2012, ku kanë grumbulluar dhe i kanë promovuar, normal tash prej 2012 ato minerale kanë ardhur tek ky muze i ri”- tha Musa.

Në këtë muze ruhen dhe ekspozohen minerale të rralla nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera të botës, potencoi ai.

Musa: Mbi 90 përqind e mostrave janë nga Trepça, por kemi edhe dhurata ndërkombëtare.

“Brenda kemi rreth 2,500 minerale, ku më shumë se 90 përqind janë të minierës së Trepçës, por kemi edhe minerale të shkëmbyera me shtete të tjera të botës. Po ashtu ne kemi vazhduar ta pasurojmë muzeun me eksponate të tjera të rajonit të Kosovës, sepse tregova se ky muze deri në 2012 ka qenë në menaxhim të Trepçës,tash është nën menaxhimin e shtetit”, thekson Musa.

Ibrahim Musa tregon se në brendësinë e muze janë paraqitur edhe rreth 70 lloje të ndryshme mineralesh që janë gjetur në Trepçë ndër vite.

Musa: Në Trepçë janë gjetur mbi 70 lloje mineralesh të ndryshme

“Sipas studimeve mineralogjike deri tash në minierën Trepça janë takuar mbi 70 lloje të veçanta të mineraleve, dhe ne në muze kemi lloje mineralesh prej tyre. Pra, si minerale kryesore është galeniti që është minerali i plumbit dhe është shumë i rëndësishëm sepse ka shumë argjend; sfaliti është mineral i zinkut; piriti dhe pirotini janë minerale të hekurit. Këto janë katër mineralet kryesore, por kemi grupe dhe lloje të ndryshme të mineraleve. Ka edhe minerale të çmuara si vivianiti, limoniti dhe boniti, ka edhe lloje dhe grupe të ndryshme të karburanteve siç është sulfuri”- tregoi Musa.

Në mesin e atraksioneve të muzeut, gjeologu Ibrahim Musa thekson, se veçohet bllok-diagrami i punuar 50 vite më parë, që paraqet në formë 3D nëntokën e Trepçës me 11 horizonte dhe rreth 800 metra thellësi.

Musa: Ky diagram tregon ndërtimin nëntokësor të Trepçës

“Ky bllok diagram është paraqitur Trepça në 3D. Këtë bllok diagram e kanë punuar gjeologët e Trepçës dikur 50 vite përpara me dorë. Gjitha elementet që gjenden në minierë – trupat xeherorë, shkëmbinjtë, korridoret, punishtet – pra përmbi 200 metra rrugë janë hapur brenda në minierë ku punojnë dhe veprojnë minatorët. Përndryshe në minierën Trepça deri tash janë hapur 11 horizonte, ku diferenca në mes horizonteve është rreth 60 metra, diku rreth 800 metra thellësi është hapur miniera. Ne e dimë që ka rezerva edhe më thellë, sepse janë bërë hulumtimet përmes shpimeve kërkimore dhe është vërtetuar që ka rezerva edhe më thellë, diku deri në horizontin e 15-të“- tregoi gjeologu Musa.

Ibrahim Musa tregon për mineralet e veçanta që ruhen në muze. Ai përmend galenitin, që duket si një qytet – “Chicago” – dhe është mineral i plumbit me shumë argjend.

Musa: Galeniti duket si qytet, ne e quajme Chicago

“Këtu para jush e kemi një mineral që është shumë i veçantë, është shumë i mirë me thënë, sepse vizitorët janë shumë të kënaqur kur e shohin. Është galeniti, dhe duket si qytet – ne e quajmë Chicago – e për ndryshe e përmenda edhe më herët se galeniti është mineral i plumbit dhe ka shumë argjend, por ky është një mineral shumë i veçantë. Këtu kemi disa copëza të vivianitit që është prej mineraleve të çmuara. Ndërsa këtu e kemi një mineral i cili ka 3-4 minerale në një vend,pra është ky me ngjyrë të zezë: sfaliti është mineral i zinkut, piriti është ky me ngjyrë si të arit dhe kalciti është karbonat që është ai me ngjyrë të bardhë”- theksoi Musa.

Musa tregon për KosovaPress, se në muze ruhen edhe minerale që kanë forma dhe ngjyra të veçanta. Disa prej tyre ngjajnë me kafshë, lule apo objekte të tjera natyrore, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe duke treguar bukurinë e fshehur të Trepçës.

Musa: Kemi minerale të tjera që shfaqin forma të ndryshme si të hartës së Kosovës e të tjera

“Kalkopiriti është mineral i bakrit, është mineral i veçantë sepse realisht bakri dhe ari gjenetikisht lidhen bashkë kur formohen, dhe për ne është i veçantë. Edhe piriti gjithashtu e ka formën ku njerëzit çuditen dhe mendojnë që është ari, por realisht është mineral i hekurit. Kemi shumë minerale të veçanta, kemi forma të ndryshme të mineraleve, zakonisht ai minerali atje duket si me qenë ndonjë kafshë, kemi disa lloje të gjeodave, luleve të ndryshme – për shembull ky minerali këtu duket si një këpucë. Kemi minerale të tjera që shfaqin forma të ndryshme si të hartës së Kosovës e të tjera”- tregoi ai.

Në këtë muze inxhineri i gjeologjisë Ibrahim Musa tha se vizitorët mund të shohin gjithashtu vegla të vjetra të minatorëve, të cilat tregojnë historinë e gjatë të punës në Trepçë që nga shekulli i XIV.

Musa: Dokumentet përmendin Trepçën që prej vitit 1303

“Këtu para jush janë paraqitur disa eksponate të vjetra, pra mënyra primitive se si është punuar përpara, sepse ka dokumente që për Trepçën flitet moti – prej vitit 1303 ka dokumente normal që është përmendur Trepça – ku në atë kohë është punuar në mënyrë primitive dhe ne i kemi paraqitur disa eksponate të vjetra, mënyra primitive se si është punuar, janë gjetur në galeri të ndryshme të minierës Trepça“- tha Musa.

Gjeologu Musa shtoi se dikur, Trepça funksiononte me disa njësi punuese që përfshinin gjithë procesin e prodhimit.
Ka qenë fabrika e akumulatorëve, elektroliza e zinkut dhe shkritorja në Zveçan, ku shkrieheshin të gjitha elementet – ari, argjendi dhe të tjerat.

Sipas përgjegjësit të muzeut, gjendja sot eshte ndryshe. Për faktin se siç thotë ai tashmë xehe del si koncentrat.

Muzeu i Kristaleve nuk është vetëm një hapësirë ekspozimi, por edhe një qendër edukimi për nxënës e studentë, ku ata mësojnë për përpunimin e mineraleve dhe shkencën e gemologjisë, potencoi Musa.

Musa: Çdo vit muzeu pasurohet me minerale të reja nga vende të ndryshme

“Këtu i kemi paraqitur disa minerale që vizitorët e ndryshëm kanë ardhur prej shteteve të ndryshme të botës dhe na i kanë dhuruar, dhe ne i kemi vendosur. Thash që i kemi edhe disa të tjera të shteteve të huaja – kemi prej Marokut, Japonisë, prej Amerikës – ndërsa këtu i kemi paraqitur, brenda gjeologjisë ekziston një shkencë tjetër që quhet Gemologji, e cila merret me përpunimin e mineraleve, pra si duken shkëmbinjtë në fillim atje dhe pastaj deri te produkti final në unaza, varëse, sepse nxënësit janë shumë kuriozë me ditë se si duken mineralet. Ndërsa këto të tjerat janë të Trepçës të gjitha ”, sqaron Musa.

Përveç vizitorëve vendas, muzeu mirëpret edhe vizitorë ndërkombëtarë nga shtete të ndryshme, të cilët tregojnë interesim të veçantë për kristalet e Trepçës, tregoi për KosovaPress inxhineri i gjeologjisë, Ibrahim Musa.

Musa: Çdo vit muzeun e vizitojnë mbi 10 mijë vizitorë

“Gjatë kësaj jave kemi pasur prej Italisë, Polonisë, Amerikës, dmth grupe të vogla të vizitorëve, por vizitorë nga Kosova kemi prej çerdheve e deri te studentët. Po ashtu kemi vizitorë prej KFOR-it, ambasadave të ndryshme, studentëve të Shqipërisë, shteteve të ndryshme të Evropës. Nesër kemi 4 shkolla që janë të aranzhuara me ardh këtu, prej Podujevës, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, dikun përmbi 10 mijë vizitorë brenda vitit kemi arritur tash”- përfundon Ibrahim Musa.

Në fund, ai shpreh bindjen se Muzeu i Kristaleve mbetet një pasuri e çmuar që ruan kujtesën minerale dhe punën shekullore të minatorëve të Trepçës.

Muzeu i Kristaleve në Mitrovicë është më shumë sesa një ekspozitë gjeologjike. Ai është dëshmi e historisë, pasurisë dhe krenarisë kombëtare që rrjedh nga nëntoka e Kosovës. Brenda çdo kristali ndodhet një copëz e së kaluarës së Trepçës – një kujtim i gjallë i minatorëve që ndriçuan historinë me mundin dhe pasionin e tyre.