Ballina Aktualitet Skandali me Federatën. Historia e volejbollistes braziliane që refuzoi të bëhej “kurban”...

Skandali me Federatën. Historia e volejbollistes braziliane që refuzoi të bëhej “kurban” për qokat e kampionatit

115
0

Një fëmijëri e dhunshme, një baba që ushtronte dhunë ndaj nënës dhe një rrugë e gjatë në sport që e çoi nga Portugalia, Arabia dhe Franca deri në Shqipëri. Në moshën 32-vjeçare, Nayara Ferreira, volejbollistja braziliane e Dinamos, u përball papritur me një kërkesë absurde: testin e gjinisë.

Historia e saj është kthyer në një përplasje të hapur me Federatën Shqiptare të Volejbollit, e cila sipas burimeve të VNA, ka vepruar nën presionin e një klubi rival. Sipas të njëjtave burime, nisma për testimin e Ferreirës erdhi nga klubi i Pogradecit, rivali kryesor i Dinamos për titullin, i cili kërkoi jo vetëm testin e gjinisë, por edhe kontroll për substanca të ndaluara.

Të bindur se sportistja konsumonte substanca të palejuara — ndoshta edhe për shkak të paragjykimeve mbi jetën e saj private, pasi ajo bashkëjeton me një vajzë në Tiranë — drejtuesit e Pogradecit i kërkuan Federatës që të ndërhynte. Trajneri i Pogradecit, shkodrani Besnik Lisha, arriti të bindë edhe Vllazninë që t’i bashkohej kësaj nisme, duke e kthyer në një fushatë të hapur kundër volejbollistes më të spikatur të kampionatit.

Dinamo, e kapur e papërgatitur, tentoi të arrinte një kompromis me Federatën për të shmangur publikimin e lajmit. Jo nga frika për gjininë e sportistes, por nga pasiguria nëse ajo kishte konsumuar ndonjë substancë të ndaluar — një kontroll që në volejboll, zakonisht, nuk kryhet periodikisht.

Por Nayara Ferreira refuzoi të nënshtrohej. Ajo kërkoi shpjegime me shkrim: mbi çfarë baze ligjore kërkohej testi i gjinisë, cili komision e kishte urdhëruar dhe kush kishte firmosur. Federata nuk kishte përgjigje. Asnjë rregullore, asnjë procedurë të qartë, asnjë justifikim ligjor.

Megjithatë, ajo vendosi pezullimin e sportistes — një vendim që tani ka hapur rrugën për një proces gjyqësor që pritet të ekspozojë jo vetëm abuzimet e Federatës, por edhe mënyrën si “qokat” e klubeve ndikojnë në drejtësinë sportive në Shqipëri.

Në përpjekje për të justifikuar veprimet e saj, Federata e Volejbollit, e drejtuar nga Erlind Pëllumbi, nuk ka sqaruar ende mbi cilën bazë rregullatore është mbështetur vendimi për testin e gjinisë dhe si është regjistruar Ferreira si lojtare femër pa një raport mjekësor fillestar.

Një histori që nisi si “rutinë sportive” u kthye në një skandal institucional, ku një sportiste që kërkoi dinjitetin e saj, nxori në pah gjithë sistemin që funksionon me marrëveshje në errësirë.