Ballina Opinion Të luftosh për Elsa Lilën!

Të luftosh për Elsa Lilën!

102
0

Nga Ermal Peçi

Ka artistë që nuk maten me shifra, klikime apo ndjekës. Ka zëra që nuk i veshin dot kostum kohe dhe njerëz që nuk kanë nevojë të rikthehen sepse kurrë nuk kanë ikur nga shpirti i publikut. Elsa Lila është prej atyre që s’e shikon dot si “artiste”; ajo është një kujtesë kolektive, një çast fryme që na mbledh të gjithëve në një pikë emocioni.

Kur ajo këndon, ne nuk dëgjojmë thjesht muzikë. Ne kujtojmë fëmijërinë, festivalet që shikonim me familjen, zërin që na mësoi se arti shqiptar mund të jetë i madh, i kultivuar, i pastër. Dëgjojmë dhembjen, lartësinë, dashurinë, shpirtin. Dëgjojmë Shqipërinë në versionin e saj më fisnik.

Pikërisht sepse ajo nuk është thjesht artiste, por një “emocion”, çdo shfaqje e saj është ngjarje dhe e tillë ishte edhe sot.

Sot nuk u luftua vetëm për ta dëgjuar Elsën, por u luftua për të qenë i pari që e transmeton. Një duel i qetë, por i tensionuar mes dy platformave mediatike, dy studio, dy moderatoreve si Osmani që është rritur në Top Channel dhe Dumës që punon në Top. Një intervistë me Elsën u bë trofe. U lëvizën orare, u përshpejtuan publikime, dhe jo vetëm për të dëgjuar fjalët apo rrëfimin e saj, por edhe për hir të klikimeve që sjell ajo.

Kjo nuk është luftë për artin. Kjo është luftë për zotërimin e momentit. Kush e ka? Kush e shfaq i pari? Kush merr trafikun? Në epokën ku ritmi i telefonit ka bërë live edhe reagimin emocional, ndërsa publiku përjeton një emocion të vërtetë, mediat përjetojnë panik klikimesh.

Kjo ngjarje e vogël mediatike nxori ne pah një të vërtetë të madhe:
Sot, në Shqipëri, nuk luftohet vetëm për përmbajtjen, por luftohet për kohën e publikimit.
Kush ka intervistën më të thellë, por edhe kush e hedh më shpejt.
Kush krijon narrativë, por edhe kush kap algoritmin.

Jemi në epokën ku lajmi është garë shpejtësie. Ku emocioni i njerëzve për një artiste që i bashkon, përdoret si poligon për duele prestigji midis mediave. Një farë maratone klikimesh, ku stafetën e mban jo vetëm cilësia, por edhe ora e postimit dhe kush kap lajmin i pari.

Mes gjithë kësaj zhurme dixhitale, të një syri kritik të mediave dhe etjes për të qenë “i pari”, Elsa Lila foli thjesht, qetë, njerëzisht. Rrëfeu jetën, betejat, ringritjen, projektet dhe plagët e veta pa zhurmë, pa marketing, pa pretendim për të sunduar algoritmin. Mjaftoi të ishte vetja dhe publiku u lidh aty ku teknologjia nuk arrin dot: te shpirti.

Tek Elsa, Shqipëria nuk kërkon like apo klikimet, kërkon zërin. Nuk kërkon ritëm kronometrik, por ndjesi që nuk matet me sekonda. Në një botë që vrapon me vrull, ajo insistoi të ecë me ritmin e shpirtit dhe ne e ndoqëm, sepse arti i vërtetë nuk garon, ai qëndron.

Ndonjëherë, duhet të luftosh jo për artistin apo artisten , por për të mos harruar pse arti vlen. Sot, mes garës për klikime, ne kujtuam pse duam Elsa Lilën: për zërin, për brishtësinë, për të vërtetën që mban, për lartësinë ku na ngre . Për mënyrën si na bashkon nëpërmjet zërit e jo si na ndan.

Kur këndon Elsa Lila, Shqipëria nuk klikon; Shqipëria dëgjon, përjeton dhe dridhet.