Ballina Aktualitet Reagon Bankers pas protestave të minatorëve: Ofrojmë kushte shumë të mira, paga,...

Reagon Bankers pas protestave të minatorëve: Ofrojmë kushte shumë të mira, paga, bonuse e sigurime

87
0

Pas protestave të zhvilluara ditët e fundit nga një grup punonjësish, kompania Bankers Petroleum Albania ka reaguar zyrtarisht, duke theksuar se mbetet një nga punëdhënësit më të qëndrueshëm dhe më të respektuar në vend, me një kulturë të ndërtuar mbi sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e punonjësve.

Sipas deklaratës së kompanisë, rreth 70% e punonjësve aktualë janë pjesë e Bankers prej më shumë se 10 vitesh, çka dëshmon – siç thuhet në reagim – “një marrëdhënie të fortë dhe të qëndrueshme besimi mes kompanisë dhe stafit të saj”.

“Ne respektojmë të drejtën e çdo punonjësi për t’u organizuar dhe për të shprehur shqetësimet e tyre, por besojmë fuqimisht se ato duhet të bazohen në fakte, vërtetësi dhe respekt të ndërsjellë. Punonjësit janë asetet tona më të rëndësishme dhe forca lëvizëse për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”, – thekson kompania në njoftim.

Marrëdhënie të rregulluara nga kontrata kolektive dhe standardet ligjore

Bankers nënvizon se operon në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar të punës dhe me Marrëveshjen Kolektive të nënshkruar me sindikatën në dhjetor 2024, që pasqyron “frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”.

Në deklaratë theksohet se të gjitha praktikat e punësimit dhe kompensimit rishikohen rregullisht për të siguruar përputhje me standardet ligjore dhe të industrisë, ndërsa struktura e pagave jo vetëm që përmbush, por tejkalon kërkesat ligjore për punonjësit e sektorit të naftës dhe gazit.
Sipas kompanisë, asnjë punonjës nuk paguhet më pak se 150% e pagës minimale kombëtare, përveç bonuseve dhe shpërblimeve të lidhura me performancën. Punonjësit përfitojnë gjithashtu mbulim shëndetësor përtej detyrimeve ligjore, sigurim jete dhe kompensime shtesë për orët e natës, turnet apo ditët e festave zyrtare.

Siguria dhe shëndeti, prioritet absolut

Kompania thekson se shëndeti dhe siguria e punonjësve janë thelbësore në çdo aspekt të veprimtarisë.
Në fushat operative, Shërbimi Mjekësor funksionon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, me mjekë të kualifikuar në vend, që ofrojnë mbështetje dhe monitorim të vazhdueshëm shëndetësor.
Punonjësit dhe familjarët e tyre përfitojnë sigurim privat shëndetësor, që përfshin mbulimin e trajtimeve mjekësore në Shqipëri dhe jashtë vendit, kontrolle vjetore, sigurim jete, si edhe ndihmë financiare për lindje apo raste emergjente.

Në reagim, kompania kujton se gjatë 21 viteve të aktivitetit nuk është regjistruar asnjë incident fatal në vendin e punës, duke e cilësuar këtë si “dëshmi të angazhimit të palëkundur ndaj standardeve më të larta të sigurisë”.
Çdo vit, punonjësit kryejnë mbi 2,100 orë trajnime për sigurinë, ndërsa në terren realizohen mbi 2,400 inspektime teknike të pajisjeve dhe sistemeve mbrojtëse.

Kompania: përkushtim i vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë

Përtej pagës bazë, Bankers ofron një sërë përfitimesh të tjera: dietë ushqimore mujore prej 13,200 lekësh, transport për punonjësit në terren, ndihmë emergjente dhe mbështetje humanitare në raste sëmundjesh apo fatkeqësish.

“Kultura jonë e fortë e sigurisë, mbulimi gjithëpërfshirës shëndetësor dhe respektimi i rreptë i Kodit të Punës pasqyrojnë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbrojtur dhe mbështetur çdo anëtar të familjes Bankers”, – përfundon reagimi i kompanisë.

Në këtë mënyrë, Bankers Petroleum Albania riafirmon publikisht angazhimin e saj për standardet më të larta të sigurisë, transparencës dhe mirëqenies së punonjësve, duke ftuar dialog konstruktiv me sindikatën dhe autoritetet për çdo shqetësim që mund të lindë në të ardhmen.