Nga Elton Qyno
Teksa në derën e prokurorisë së posaçme u shfaq fillimisht Pamela Qirko, e motra e Ballukut e cila me sa duket në të ardhmen do jetë edhe avokatja e saj mbrojtëse, disa minuta më vonë në derën e SPAK u shfaq eskorta e Belinda Ballukut.
Kjo e fundit e shoqëruar nga dy këshilltarët e saj ka çarë “rrethimin” e fortë të gazetarëve dhe më pas depërtoi në brendësi të godinës së prokurorisë së Posaçme.
Sot zv/kryeministrja e vendit Belinda Balluku, merret e pandehur për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera”, për shkak të paracaktimin e fituesit të kompanisë “Net Group” dhe “Hill Internacional” të cilat kanë lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës një kontratë me vlerë 2 milion euro për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë.
Por shfaqja në derën e SPAK e Pamela Qirkos alias Ballukut, duket se ka më tepër formatin e ngritjes së një strategjie mbrojtjeje se sa kryerjen e procedurës standarde për rastin në fjalë.
Pamela Qirko, ka qënë anëtare e trupës gjyqësore që ka konfirmuar në “Vetting” prokurorin Dritan Prencci. Pamela, së bashku me Genta Tafën dhe Suela Zhegun, konfirmuan në KPK-ë Dritan Prençin dhe kjo tashmë mund të kthehet në një precedent të konfliktit të interesit e për pasojë ka shumë gjasa që në vijim të kërkohet përjashtimi nga dosja penale e Dritan Prençit.
Rasti në fjalë mund të hapë një debat juridik nëse kemi të bëjmë me një konflikt interesi, ndaj që mos u habisni kur ky debat të formëzohet kur çështja të shkojë për shqyrtim gjyqësor.







