Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën të shtunën (1 nëntor) në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, një vit pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor që vrau 16 persona, duke shfaqur pakënaqësi mbi korrupsionin e supozuar dhe mungesën e llogaridhënies, të cilat shumë i fajësojnë për tragjedinë.
Tubimi përkujtimor filloi në stacionin hekururdhor në orën 11:52 të paradites – në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia. Në këtë orë protestuesit – shumica të rinj – mbajtën 16 minuta heshtje, një për çdo viktimë
Njerëzit vendosën lule dhe qirinj përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit, ku 16 njerëz humbën jetën kur çatia u shemb më 1 nëntor 2024.
Tubimi më pas u mbyll rreth orës 20:00 me sërish 16 minuta heshtje dhe me një pankartë të madhe me mbishkrimin.
“Shihemi nesër dhe çdo ditë tjetër derisa të ketë drejtësi.”
Studentët përsëritën kërkesën e tyre për thirrjen e zgjedhjeve, ndërsa Dijana Hrka, nëna e njërit prej viktimave, shpalli grevë urie.
Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi mbrëmjen e sotme se në kulmin e këtij tubimi përkujtimor, nga ora 11:52 deri në 12:08, kan qenë të pranishëm rreth 39,000 qytetarë nga i gjithë territori i Republikës së Serbisë
Protestat që vijojnë prej muajsh në të gjithë Serbinë janë nxitur nga zemërimi për mosndëshkimin e përgjegjësve për shembjen e çatisë, kanë tronditur qeverisjen afatgjatë të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kanë rritur thirrjet për zgjedhje të parakohshme.
Protestuesit mbërritën në qytetin verior të Novi Sad, ku ndodhi katastrofa, me makina, autobusa ose këmbë, disa kishin bërë në këmbë distanca të gjata, thanë dëshmitarët. Një nga bulevardet kryesore të Novi Sadit ishte i mbushur me njerëz.
Protestuesit mbanin në dorë zemra të mëdha të kuqe me emrat e viktimave, lule të bardha dhe vendosën kurora para stacionit hekurudhor.
Babai I njërit prej viktimave, me lot në sy dhe i veshur me të zeza qëndroi për orë të tëra duke parë emrin e vajzës së tij të shënuar në gardhin përreth stacionit.
Tubimi përkujtimor ishte I qetë ndryshe nga protestat e tjera gjatë verës kur policia përdori dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë tubimet.
‘Mjaft’
“Kjo është tragjedia më e madhe për popullin serb. Nuk mund t’i rikthejmë këta njerëz, por mund të ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe të themi mjaft,” tha Sladjana Burmaz, ekonomiste 51-vjeçare nga qyteti i mesëm Valjevo.
“Këta njerëz nuk u vranë aksidentalisht, vdekjet e tyre ishin rezultat i një sistemi të dobët, politike të dobët… Drejtësia do të kryhej nëse përgjegjësit do të viheshin para përgjegjësisë,” shtoi ajo.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një postim në Instagram, publikoi një foto ku shihej në një kishë duke mbajtur një qiri gjatë një ceremonie përkujtimore për viktimat në kryeqytetin Beograd.
“Le të jenë emrat e të vrarëve një kujtesë se jeta njerëzore është mbi çdo ndarje në shoqëri,” shkroi Vuçiç. Ai shtoi se qeveria kishte shpallur të shtunën ditë zie kombëtare.
Lëvizja protestuese, e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe liderë opozitarë, akuzon Vučiç dhe partinë e tij nacionaliste populiste për korrupsion, shërbime publike të dobëta, nepotizëm dhe kufizime të lirisë së mediave, por ata mohojnë akuzat.







