Spartak Ngjela
Shteti ka mbetur në një instrument korruptiv, ku secili punon për vete, dhe koha ecën e shqiptarët po kërkojnë të emigrojnë jashtë Shqipërisë.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ata që drejtojnë shtetin nuk e kanë në profesion njohjen teorike dhe praktike të ligjit, domethënë nuk kanë mbaruar për jurisprudencë.
E kuptoni se ku ndodhemi?
Një shprehjen latine thotë: Ex nihilo nihil; Nga hiçi vjen vetëm asgjë.
Ja, pikërisht këtu jemi ne sot në lidhje me drejtimin e shtetit shqiptar në Shqipëri.
E them këtë sepse sot politikanë e drejtues të shtetit thoshin që Veliaj nuk mund të jetë më kryetar i Bashkisë së Tiranës, sepse ai është i arrestuar për korrupsion.
Por nuk e kuptojnë dot kota të mjerë që Veliaj ende nuk është dënuar me një vendim gjykate – prandaj, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, Veliaj prezumohet i pafajshëm, derisa të jetë dënuar me një vendim gjykate, i cili duhet të ketë marrë formën e prerë?
E kujt t’i thuash!
Po sikur Veliaj të marrë pafajësinë në gjykatë, çfarë ndodh me këtë shtet dhe me këtë shoqëri nëse ai është shkarkuar se kryetar bashkie?
Dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja që Gjykata Kushtetuese e mbylli këtë çështjen sipas kushtetutës, dhe i la me gisht në gojë injorantët që nuk e kanë politikën si profesion, sepse nuk kanë kulturë profesionale juridike për njohjen e ligjit, dhe nuk njohin asnjë doktrinën juridike për shtetin.
Sepse nuk kanë mbaruar për jurisprudencë.
Prandaj dhe shteti shqiptar është në dekadedencë të drejtimit ligjor, sepse në 30 vite demokraci ai nuk është drejtuar nga juristë dhe profesorë të drejtësisë, por nga njerëz të thjeshtë të popullit me profesion jashtë doktrinës së jurisprudencës.
Ende nuk po e kupton dot politika shqiptare që shteti është disiplinë ligjore, dhe ai duhet të mbajë profesionalisht në ruajtje drejtësinë e pacenuar, në zhvillimin e Shqipërisë si shtet i pavarur?
Jo, këtë ende nuk po e kupton dot politika aktuale në Shqipëri.
Prandaj dhe jemi sot në këtë gjendje politike ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri i bie patkoit!
Dhe shteti ka mbetur në një instrument korruptiv, ku secili punon për vete, dhe koha ecën e shqiptarët po kërkojnë të emigrojnë jashtë Shqipërisë.
Si mund ta drejtojë sot në Evropë shtetin një kryeministër që nuk ka mbaruar për jurisprudencë dhe të ketë bërë dhjetëra e dhjetëra procese gjyqësore si avokat?
Jo kjo nuk mund të ndodhë.
A e kuptoni tani se ku jemi ne si shoqëri?!
Ne jemi ende në një epoke antiligj, sepse ata që na kanë drejtuar deri tani, jo vetëm që nuk e kanë njohur ligjin, por kanë qenë kundër tij.
Dhe prandaj sërish na duhet të përdorim shprehjen e famshme latine:
Ex nihilo nihil.
Nga asgjëja vjen vetëm asgjë.







