Polonia do të fillojë të zhvillojë sistemin e saj kombëtar të mbrojtjes kundër dronëve brenda muajve të ardhshëm, në vend që të presë iniciativën e përbashkët të Bashkimit Evropian për “murin kundër dronëve”. Kështu deklaroi zëvendës ministri i Mbrojtjes Cezary Tomczyk për Bloomberg News të martën.
“Ne pajtohemi me idenë e forcimit të mbrojtjes së qiellit mbi të gjithë Bashkimin Evropian dhe jemi të gatshëm të shqyrtojmë propozime ose zgjidhje të jashtme”, tha Tomczyk në një intervistë. “Por ne u japim përparësi projekteve kombëtare”.
Ministria planifikon të investojë në teknologji për “zbulimin, bllokimin dhe neutralizimin” e dronëve si pjesë e një programi më të gjerë të mbrojtjes ajrore, sipas Bloomberg.
Kapacitetet e para pritet të jenë funksionale brenda tre muajve nga fillimi i projektit, me sistemin e plotë të përfunduar brenda dy viteve.
“Një armë kundër dronëve duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, tha Tomczyk. “Ajo duhet të përbëhet nga sensorë dhe efektorë të ndryshëm që veprojnë njëkohësisht, së pari duke zbuluar dhe identifikuar objektet, dhe më pas duke i neutralizuar ato”.
Tomczyk shtoi se të paktën gjysma e kontratave për sistemin polak kundër dronëve duhet t’u shkojnë kompanive vendase.
Ai tha se programi do të financohej përmes skemës së re të kredisë për mbrojtje SAFE të BE-së, sipas së cilës Polonia ka qasje në 43.7 miliardë euro, shpërndarja më e madhe midis shteteve anëtare.
Zëvendës ministri vuri në dukje se mësimet nga lufta në Ukrainë kanë nënvizuar urgjencën e forcimit të mbrojtjes nga dronë.
“Mënyra se si rusët dhe ukrainasit po përdorin sisteme armësh pa pilot sot tregon se forcimi i aftësive tona në këtë fushë duhet të jetë një përparësi në të gjitha sferat e aktivitetit: në ajër, në tokë dhe në det”, tha ai.
Tomczyk tha se “muri i dronëve” i planifikuar i BE-së mund të “plotësojë” më vonë sistemin e vetë Polonisë.
“Nëse ka ndonjë mjet të jashtëm, ne do t’i përdorim ato në maksimum”, shtoi ai.
Në shtator, NATO vendosi avionë luftarakë për të kapur rreth 20 dronë që kaluan në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi të madh rus ndaj Ukrainës – përgjigja e parë e tillë që nga pushtimi në shkallë të plotë i vitit 2022.







