Babai i Meghan Markle, Thomas Markle, me të cilin dukesha e Sussex-it ka ndërprerë prej vitesh çdo kontakt, është arrestuar nga FBI-ja, në kuadër të një hetimi për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike Daily Mail, e cila raporton se çështja ka marrë përmasa ndërkombëtare, pasi autoritetet në SHBA, Meksikë dhe Filipine po hetojnë materiale të dyshimta të zbuluara në ambiente ku Thomas Markle kishte qëndruar ose kishte ruajtur sendet e tij personale.
Agjentët federalë amerikanë zhvilluan një operacion në qendrën e kujdesit për të moshuarit Maravida Senior Living, në Lakeland të Floridës, ku jeton Markle. Ndërhyrja erdhi pas zbulimit të sasive të mëdha të materialeve të papërshtatshme në disa ambiente të lidhura me të në Filipine dhe Meksikë.
Sipas një burimi të cituar nga Daily Mail, Markle u arrestua nën dyshimet për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë (CSAM).
Arrestimi në SHBA vjen pak ditë pasi autoritetet federale u informuan për zbulimin e materialeve të dyshuara në një magazinë që Markle kishte marrë me qira pranë banesës së tij të mëparshme në Rosarito të Meksikës.
Paralelisht, policia në Filipine raportohet se është pranë ngritjes së akuzave zyrtare ndaj tij, pas zbulimit të imazheve të abuzimit seksual me fëmijë në banesën ku kishte jetuar më parë në këtë vend.
Në kuadër të hetimeve, policia meksikane zhvilloi një kontroll në magazinën në Rosarito. Në operacion morën pjesë efektivë të Gardës Kombëtare të Meksikës, ekspertë të forenzikës digjitale, hetues dhe përfaqësues të prokurorisë së shtetit të Baja California.
Sipas dokumenteve të urdhrit të kontrollit, autoritetet kishin marrë autorizim gjyqësor për të kërkuar prova që mund të përbënin materiale të abuzimit seksual me fëmijë, si dhe elemente që lidhen me dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore në rrethana rënduese.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi disa pajisje dhe materiale, mes tyre një kompjuter, pajisje portative USB, videokaseta VHS dhe një numër revistash.
Pas përfundimit të kontrollit, ambienti u vulos dhe u vendos njoftimi zyrtar për sekuestrimin e tij.
Magazina numër 22 ishte marrë me qira nga babai i dukeshës së Sussex-it në vitin 2017. Megjithatë, dy vite më parë ai kishte ndërprerë pagesën e qirasë dhe në fillim të vitit 2025 ishte zhvendosur në Filipine, pa boshatisur më parë ambientin.
Punonjësit dhe pronari i biznesit deklaruan se nuk kishin pasur dijeni për përmbajtjen e magazinës dhe shprehën tronditjen e tyre për materialet e zbuluara.
Nga ana e tij, Thomas Markle kishte mohuar kategorikisht çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme, kur informacionet për materialet e dyshuara u bënë publike për herë të parë.
“Nuk kam pasur asnjë magazinë në Rosarito!”, deklaroi ai për Daily Mail.
Sipas raportimit, përveç kujtimeve familjare, letrave dhe fotografive pa përmbajtje të dyshimtë, në magazinë u gjetën edhe fotografi bardhezi të grave nudo me origjinë aziatike, disa prej të cilave dukeshin shumë të reja, si dhe libra e revista ku fëmijët paraqiteshin në mënyrë të seksualizuar.
Gjithashtu, u zbuluan negativë fotografikë 35-milimetërsh me imazhe të fëmijëve në plazh, të realizuara në rrethana të dyshimta, si dhe videokaseta të vjetra VHS me tituj të ndryshëm.
Në ambient u gjetën edhe kompjuterë të vjetër, disqe të forta dhe një pjatë kartoni ku ishte shkruar me bojë të kuqe shprehja “DARK WEB”, së bashku me disa adresa interneti.
Në hetim janë përfshirë edhe agjentë të FBI-së me bazë në Kaliforninë Jugore, të cilët kanë përgjegjësi për koordinimin e veprimeve me autoritetet përkatëse në jug të kufirit amerikan.







