Ballina Aktualitet APIS Construction, fantazma e Sakove që u ngrit nga hiçi dhe u...

APIS Construction, fantazma e Sakove që u ngrit nga hiçi dhe u shndërrua në përbindësh tenderash brenda 2 viteve

113
0

APIS Construction është një kompani e themeluar në vitin 2014, fillimisht me emrin Global Service Consulting, nga një shtetas i quajtur Besnik Binjakaj. Por menjëherë sapo u themelua, kompania e pezulloi aktivitetin dhe kaloi në status pasiv.

Global Service Consulting qëndroi e pezulluar për plot 7 vite për t’u riaktivizuar në vitin 2022. Menjëherë pas riaktivizimit, në qershor të vitit 2022, Besnik Binjakaj vendosi që t’ia dhurojë aksionet e tij një personi të quajtur Ervin Tartaraj. Por Tartaraj është një emigrant që jeton në Itali. Ai është thjesht një prestanome, pasi pronarët e vërtetë të APIS janë të tjerë.

APIS Construction, fantazma e Sakove që u ngrit nga hiçi dhe u

Dhe kjo do të konfirmohej vetëm pak muaj më vonë. Fillimisht kur administratore e kompanisë u caktua Gloria Taçe. Më vonë Taçe u bë aksionere me 50 për qind, dhe pak muaj më vonë i shiti sërish aksionet tek Tartaraj. Të gjitha kalimet e aksioneve janë bërë me dhurime duke mos paguar asnjëherë taksë.

Nëse APIS do të ishte një kompani që bën biznes në privat, këto lëvizje nuk do të kishin dhe shumë rëndësi. Por APIS ka filluar të rritet me shpejtësi rrufe duke fituar kontrata miliona euro nga institucionet publike. Kjo pasi, pronarët e saj janë njerëz me lidhje të forta me qeverinë.

Pronari i vërtetë i APIS, është Sibjon Çobaj. Gloria Taçe, e cila figuron si administratore e kompanisë është bashkëshortja e tij. Zoti Çobaj është nipi i Sakove. Ai zotëron një rrjet kompanish, përmes të cilave ka krijuar një zinxhir efektiv të rrëmbimit të fondeve publike.

APIS Construction, fantazma e Sakove që u ngrit nga hiçi dhe u

Sibjon Cobaj

Njëra prej tyre është Sire Alb, e cila bën projektet e punëve publike, që më pas përfundojnë në duart e Apis dhe 2T. Pra, e njëjta dorë bën projektet dhe fiton tenderat. Kjo skemë është zbatuar në një sërë tenderash publik, veçanërisht në bashkitë e Jugut, ku Apis dhe 2T janë duke bërë kërdinë. Dhe biznesi i Apis ka nisur të lulëzojë.

Nga 7 milionë lekë në vitin 2022, xhiro e Apis vitin e kaluar kërceu në 86 milionë lekë, ose gati 900 mijë euro, duke u rritur me 10 herë vetëm në harkun kohor të dy viteve. Por këtë vit shifra pritet të rritet edhe më shumë teksa, kompania së bashku me 2T-në e Sakove është duke marrë tendera në seri në çdo bashki të Jugut.

Një rrjet i madh i tretjes së fondeve publike, nga hartimi i projekteve deri tek zbatimi i tyre, duke vendosur kështu dhe kriteret që përjashtojnë konkurrentët e tjerë./kapitali