Një nga portalet më të rëndësishme investigative jo vetëm në Holandë, por edhe në Europë, ‘Ndiq Paranë’ (Follow the Money) sjell një investigim tronditës për narko-shtetin e Edi Ramës. Sipas medias së njohur, ky narko-shtet po rrezikon Europën
Nga Antoine Harari, FOLLOW THE MONEY
Gjatë një nate të ftohtë tetori në vitin 2013, policia ndaloi një Audi A8 të zi në Fier, një qytet në jugperëndim të Shqipërisë.
Për javë me radhë, agjentët ndoqën makinën për shkak të dyshimeve se trafikantët e drogës e përdornin Audi-n. Ato natë, inspektori i policisë, Dritan Zagani, i dha ekipit të tij urdhër që ta dërgonin mjetin në komisariat.
Pasi mbërritën atje, Zagani kuptoi se nuk do të ishte e thjeshtë të arrestoheshin pasagjerët për trafik droge; shefi i tij i ndaloi agjentët që të kontrollonin makinën.
Problemi? Thuhet se makina i përkiste njërit prej figurave më të fuqishme të vendit, ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Saimir Tahiri.
Në vend që të vepronin fort kundër krimeve të mundshme të drogës, prokurorët nisën hetimin ndaj inspektorit Zagani: e akuzuan se kishte vepruar jashtë kompetencave.
Tani, më shumë se dhjetë vjet më vonë, nga një vend i sigurt dhe me një identitet të ri, Zagani shpjegon se gjatë dekadave që punoi në polici, ka parë se krimi i organizuar është lidhur gjithnjë e më shumë me shtetin shqiptar. Zagani, i zeshkët dhe i veshur thjesht, me një kapele të ulur mbi ballin, flet shpejt.
“Gjërat, për të cilat kisha më shumë frikë, kanë ndodhur,” tregon ish-policia për ‘Follow the Money’, duke marrë një gllënjkë kafeje në një kopsht të qetë në Zvicër. “Vendi im është bërë një narko-shtet”.
Mafia shqiptare është infiltruar në qeveri, dhe sipas Zaganit, kjo ndodh kryesisht për shkak të kryeministrit aktual, Edi Rama.
Rama i siguroi Partisë Socialiste një mandat të katërt të paprecedent në zgjedhjet e këtij viti, të cilat sipas vëzhguesve janë njollosur nga parregullsitë.
Një pjesë e fushatës së Ramës ishte për ta paraqitur atë si politikan pro-evropian që vlerëson sundimin e ligjit. Në dukje, ai është një mbështetës i flaktë i përpjekjeve anti-korrupsion dhe anti-drogë. Në shtator, qeveria krijoi një ministër për AI-në për ta bërë Shqipërinë “një vend ku prokurimet publike janë 100% të lira nga korrupsioni”.
Por hetimi i ‘Follow the Money’ në bashkëpunim me partnerin e mediave ‘BLAST’ tregon se krimi i organizuar ka mundur të lulëzojë gjatë dhjetë viteve të sundimit të tij – me pasoja katastrofike për pjesën tjetër të Europës.
Sasia e drogës që mafia shqiptare shpërndan në Europë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërkohë që autoritetet kanë realizuar operacione të mëdha kundër trafikut.
Vitet e fundit, mafia shqiptare ka zgjeruar gjithnjë e më shumë rrjetet e saj jashtë vendit, ndërsa Rama ka bërë pak për të kufizuar ndikimin e organizatave kriminale, sipas bisedave me prokurorë, policë dhe ekspertë.
Dokumente konfidenciale, të cilat FTM i ka parë, mbështesin këto pretendime.
Ky është një problem i madh për Italinë, ku bandat shqiptare të drogës po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim. Kjo ngre gjithashtu pyetjen se pse Brukseli mbështet anëtarësimin e Tiranës në BE, pavarësisht akuzave kundër Ramës dhe dështimit të vendit për të luftuar krimin e organizuar.
Ekonomia e Shqipërisë e bën vendin vulnerabël ndaj krimit të organizuar. “Grupet kriminale janë infiltruar në të gjitha shtresat e qeverisë,” thotë Zagani.
Rreth 20% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, thuajse një e treta e të rinjve është papunë, dhe paga mesatare luhatet rreth 600 euro në muaj. Gjithashtu, vendi ka vështirësi për të zhvilluar sektorin e turizmit.
Grupet e krimit të organizuar përfitojnë nga kjo duke investuar në prona të lira për të larë paratë dhe duke përdorur bizneset lokale si mbulesë.
Por ndikimi i mafias shqiptare shtrihet më gjerë se bizneset lokale. Mafia ka figura kyçe në qeveri dhe në sistemin gjyqësor.
Kur Zagani ishte në konflikt me ministrin e Brendshëm Tahiri dhe rrjetin e tij të dyshuar të trafikantëve të drogës, Rama zgjodhi të mbështeste Tahirin.
Vetëm në vitin 2019, dy vjet pasi një hetim i ‘Guardia di Finanza’-s italiane që tregoi se Tahiri ishte i përfshirë direkt në krimin e organizuar, ai mori një dënim me burg.
Vetë Zagani u lirua në pritje të procesit në vitin 2015, pas disa muajsh të mbajtur në paraburgim në Tiranë. Më pas u largua në Zvicër, ku i është dhënë azil.
Nëse Zagani do të kthehet ndonjëherë në Shqipëri, ai ndoshta do të përballet sërish me burg: është dënuar në mungesë me shtatë vjet.
Dhe ky nuk është i vetmi rast ku një bashkëpunëtor i afërt i Ramës duket se ishte mbrojtur fillimisht nga ndjekja penale.
Në fillim të vitit 2025, Taulant Balla, gjithashtu ish-ministër i Brendshëm dhe atëherë ministër i shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, u përfshi në telashe për shkak të korrupsionit të dyshuar.
Gjatë kohës si ministër, ai ishte gjithashtu udhëheqësi politik i Partisë Socialiste për diasporën dhe përgjegjës për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve jashtë vendit. Me 2.5 milion shqiptarë që jetojnë jashtë, vendi ka thuajse po aq njerëz jashtë kufijve sa brenda.
Punonjësit e Ballës u kapën duke ofruar rreth 60 euro për votat e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Në shërbimet policore evropiane, Balla njihet: emri i tij u shfaq gjatë një hetimi global për rrjetin e komunikimit SKY ECC. Kjo operacion, i udhëhequr nga disa shërbime policore evropiane, synonte të ndërpriste telefonat satelitorë të koduar që përdornin kriminelët për të komunikuar në mbarë botën.
Kur autoritetet fituan qasje në biseda, panë që Balla ishte në kontakt me trafikantë droge. Kjo u evidentua nga një fragment transkriptimi i publikuar nga mediat lokale Lapsi.
Kryeministri i Shqipërisë mbrojti Ballën dhe e mbajti në detyrë. Për FTM, një zëdhënës i qeverisë shqiptare mohon të gjitha akuzat.
Akuzat për korrupsion nuk kanë kaluar pa u vënë re nga popullsia. Në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, vendi renditet aktualisht në vendin e 80 nga 180, duke e bërë një nga vendet më të korruptuara të Europës.
Qendra e lulëzimit të droge në Europë
Ndërsa grupet kriminale shqiptare lulëzojnë në vendin e tyre, ato kanë zgjeruar rrjetet e tyre në të gjithë Europën, tregojnë zyrtarët e zbatimit të ligjit për FTM.
“Mafia shqiptare po fiton shumë terren. Jo vetëm sa i përket sasisë së drogës që tregtohet ose numrit të njerëzve të përfshirë, por kryesisht për aftësinë e tyre për t’u organizuar,” thotë një përfaqësues i njësisë hetimore ‘Guardia di Finanza’ për krimin e organizuar në Breshia dhe Romë, që ka udhëhequr hetime të shumta mbi trafikun e drogës nga shqiptarët. “Ata janë të paktën po aq të fuqishëm sa mafia italiane”.
Në Itali, policia po sekuestron gjithnjë e më shumë sasi të mëdha kanabisi dhe drogash të forta që lidhen me grupet kriminale shqiptare.
Shtatorin e kaluar, operacioni ‘Tornado’ në Breshia të veriut të Italisë çoi në më shumë se gjashtëdhjetë arrestime. Mbi katërqind policë morën pjesë në hetimin katërvjeçar, i cili rezultoi në sekuestrimin e 300 kilogramë kokainë, me vlerë mbi 60 milionë euro.
Pas tregtisë në Breshia ishte një grup kriminal i organizuar shqiptar, tha policia italiane për FTM.
“Të gjithë bosët ishin shqiptarë dhe shumica qëndronin në Shqipëri,” thotë një polic italian që ishte pjesë e operacionit. “Ata drejtonin gjithçka nga larg”.
Grupi lau paratë duke dërguar fatura false përmes një rrjeti kompanish, me një vlerë prej rreth 375 milionë eurosh. Sipas policit, paratë shkonin fillimisht në Europën Lindore dhe pastaj në Kinë për t’u rikthyer në Shqipëri.
Në mars, policia italiane arrestoi katër shqiptarë në Bolonjë, për dyshimin e trafikut të kokainës, marijuanës dhe hashashit me vlerë rreth 5 milionë euro nga Holanda drejt Italisë.
Madhësia e mafias shqiptare në Europë u bë e qartë për autoritetet përmes çështjes Sky ECC, ku ishte përfshirë edhe ish-ministri Balla.
“Zbuluam që ata ishin shumë aktivë. Ata kanë baza logjistike që shtrihen nga Shqipëria deri në Belgjikë dhe Gjermani,” thotë Nicolo Gratteri, prokuror italian i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar.
Si rezultat i hetimit të gjerë, në një seri procesesh që nga viti 2021 janë dënuar më shumë se një mijë persona. Rreth 179 milionë euro janë sekuestruar.
Pak pas fillimit të hetimit, anëtarët e mafies shqiptare vendosën një shpërblim prej 1 milion euro për kokën e një gjyqtari federal belg.
“Sot, këto grupe kontrollojnë portet e Antverpenit dhe Roterdamit,” thotë Gratteri. “Ata mund të sjellin lehtësisht disa qindra kilogramë me një dërgesë të vetme.”
Në Belgjikë, të gjitha plantacionet e kanabisit kontrollohen nga krimi i organizuar shqiptar. Në fund të prillit, policia belge realizoi një bastisje në një plantacion kanabisi që thuhet se menaxhohej nga një grup kriminal italo-shqiptar.
Këto nuk janë raste të izoluar, dhe sinjalet e dominimit të shqiptarëve po rriten. Në një raport të Europol-it nga 2024, mafia shqiptare kategorizohet si një nga pesë grupet kriminale më kërcënuese në Europë sa i përket trafikut të kokainës dhe kanabisit.
Edhe Fatjona Mejdini, drejtoreshë e ‘South Eastern Europe Observatory’, paralajmëron për dominimin e mafies shqiptare. “Ato janë ndër grupet mafioze më kërcënuese në Europë,” tha ajo.
SPAK, agjencia shqiptare anti-korrupsion, numëroi atë vit plot 16 grupe të ndryshme kriminale shqiptare.
Sipas ‘National Crime Agency’ të Mbretërisë së Bashkuar, grupet shqiptare tani kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut britanik të kokainës, më i madhi në Europë.
Spanja – një pikë kyçe për kokainën latino-amerikane – regjistroi një kulm të lartë në sekuestrime: në nëntor 2024, në Algeciras u kap një ngarkesë rekord prej 13 ton kokainë. Dërgesa ishte e lidhur me rrjete shqiptare.
Agjencia e drogës e Bashkimit Europian zbuloi se midis 2012 dhe 2021, numri i sekuestrimeve të kokainës në portet evropiane është rritur me gati 400%. Në raportin e fundit, UNODC njofton se “oferta globale e kokainës ka arritur nivele rekord”.
Zagani mendon se qeveria ushtronte presion mbi sistemin gjyqësor për ta dënuar. Ai nuk është i vetmi që beson se gjykatat nuk janë të pavarura.
Nën presidentin amerikan, Barack Obama, agjencia për zhvillim USAID shpenzoi rreth 27 milionë dollarë për të financuar një reformë që synonte ndarjen e politikës nga drejtësia.
Për këtë qëllim, në 2016 u krijua një entitet i ri për të trajtuar krimet më të rënda, i quajtur Struktura Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në teori, ky duhej të ishte një entitet i veçantë që funksionon i pavarur nga qeveria.
Megjithëse organi u krijua për të luftuar korrupsionin, duket se i ka mundësuar kryeministrit ta përdorë sistemin e drejtësisë si armë. Prokurorët shqyrtohen nga një panel, anëtarët e të cilit zgjidhen nga parlamenti dhe shpesh janë pro-Rama dhe Partisë Socialiste.
“Vendi vuan nga korrupsioni që drejtohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë,” thotë ish-zëvendëspresidenti i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, për FTM.
I ulur në një kafe në një rrugë të qetë në Zvicër, Ahmetaj, i cili ishte në qeveri nga 2013 deri në 2022, akuzon Ramën se largohet nga njerëzit që mund të kërcënojnë pozicionin e tij.
“Rivalët politikë të Ramës ndiqen të gjithë nga drejtësia, madje edhe ata brenda partisë së tij që i kundërvihen,” thotë ish-ministri i Financave.
Ahmetaj u largua nga qeveria në korrik 2022 pas një beteje për pushtet me kryeministrin. Më vonë ai u akuzua për korrupsion mbi pretendime, që sipas tij, ishin orkestruar nga qeveria për ta njollosur. Qeveria nuk ka paraqitur asnjë provë dhe Ahmetaj mbetet i pafajshëm.
Ashtu si Zagani, Ahmetaj kërkoi azil në Zvicër në 2023, ku vajza dhe gruaja e tij tashmë kishin leje qëndrimi, kur mori vesh se në Shqipëri ishte lëshuar një urdhër arresti kundër tij. Në aplikimin e azilit, ai argumentoi se drejtësia gjithashtu kishte intimiduar miqtë dhe familjen e tij dhe kishte kontrolluar zyrat dhe shtëpitë e tyre.
Burime nga policia italiane mbështesin pretendimet e tij mbi korrupsionin dhe besojnë se sistemi gjyqësor është infiltruar nga krimi i organizuar.
Një zyrtar i lartë policor, që merret me krimin e organizuar, thotë se policia italiane nuk i beson gjithmonë homologëve të saj shqiptarë dhe për këtë arsye nuk i informon gjithmonë plotësisht.
Policia italiane është prezente në Shqipëri që nga mesi i viteve ’90 për të luftuar krimin transnacional, por kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi është i qetë, thotë ai.
Pagat e ulëta të zyrtarëve e bëjnë sipas tij sistemin të cenueshëm ndaj korrupsionit.
“Kur sheh një prokuror, që fiton 800 euro në muaj, nget një Maserati, është e qartë se ka probleme,” thotë ai.
Zëdhënësi i Ramës mohon akuzat. “Kjo është një tjetër akuzë politike nga kundërshtarët e Edi Ramës. Nuk bazohet në fakte; ka dëshmi të bollshme që tregojnë të kundërtën”.
Depërtimi në Amerikën e Jugut
Një pjesë e suksesit të mafias shqiptare mund të shpjegohet nga modeli i tyre i biznesit: ata eliminuan ndërmjetësit dhe filluan aktivitetet në vendet furnizuese të drogës.
Matt Shea, autor dokumentaresh që ka bërë një hulumtim të gjerë mbi trafikun shqiptar të kokainës, ka intervistuar si liderët e kartelit kolumbian, ashtu edhe anëtarë të mafias shqiptare.
“Kur takova anëtarë të ‘Clan del Golfo’, ata më thanë se shqiptarët u ofronin një pjesë më të madhe të fitimit. Ndryshe nga ‘Ndrangheta, që paguante çmimet standarde kolumbiane për kilogram, shqiptarët sugjeronin një ndarje 50-50.”
Tani që shqiptarët po fusin gjithnjë e më shumë këmbë në Amerikën Latine, droga po gjen gjithashtu rrugën drejt Europës.
Çfarë vlen për botën e sipërme, vlen edhe për botën e poshtme: kushdo që dëshiron të dijë ku është pushteti, ndjek paratë.
Sipas Europolit, trafikanti famëkeq i drogës Dritan Gjika transportoi tonelata kokainë në Shqipëri dhe disa porte evropiane. Platforma e gazetarisë investigative ekuadoriane Plan V raportoi se ai përdori kompaninë e tij të eksportit të bananeve Agricomtrade për këtë qëllim. Dyshohet se ajo kontrabandoi drogën në dërgesat e tij në Evropë. Gjatë disa bastisjeve në Ekuador dhe Spanjë, u sekuestruan më shumë se 3 ton drogë dhe 48 milionë euro në asete financiare.
Në shkurt të vitit të kaluar, policia bastisi shtëpinë e Gjikës në qytetin jugperëndimor Guayaquil. Që atëherë ai është në arrati. Nuk është i vetmi që përdor këtë metodë.
Autori francez Stéphane Quere, i cili ka shkruar një libër mbi origjinën e krimit të organizuar shqiptar, thotë se kontejnerët e bananeve (shpesh nga Ekuadori, i cili eksporton shumë banane) janë të preferuara nga trafikantët. Arsyeja: është e vështirë të inspektohen shpejt. Autoritetet portuale duhet të paguajnë kostot e një dërgese të prishur nëse bananet kalbën.
Shifrat flasin vetë, thotë Quere. “Ka më shumë se dyzet kompani që importojnë banane në Shqipëri,” bën shaka ai. “Sigurisht që duhet t’i pëlqejnë shumë bananet”.
Ndërsa policia dhe prokurorët paralajmërojnë për rritjen e pranisë së mafies shqiptare në vendin e tyre, duket se Europa po mbyll një sy.
Të martën, Komisioni publikoi vlerësimin e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në njoftimin për shtyp thuhej se vendi kishte bërë “progres të jashtëzakonshëm” që nga viti i kaluar. Por në raportin e detajuar thuhej se “korrupsioni ende është i përhapur në sektorët e cenueshëm”.
“E dashur Edi, ti dhe ekipi yt keni bërë një punë të shkëlqyer,” tha kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në tetor 2024 gjatë një vizite në Tiranë.
Ajo iu referua planeve të vendit për t’u përgatitur për anëtarësimin e mundshëm në BE.
Një pjesë e mbështetjes së Von der Leyen mund të shpjegohet nga rëndësia strategjike e Shqipërisë: vendi është ofruar të ndihmojë BE-në duke pranuar refugjatë ose duke hapur një bazë ajrore për NATO-n.
Mbështetja e Von der Leyen është vendimtare për Shqipërinë, që dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian – negociatat për anëtarësim filluan zyrtarisht në korrik 2022.
“E dashur Edi,” përfundoi Von der Leyen fjalimin e saj në tetor të kaluar. “Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Ju falënderoj shumë për punën tuaj të palodhur, për angazhimin dhe për miqësinë tuaj.”
Për Ahmetajn, ish-ministrin, mbështetja e vazhdueshme e Europës është e paarsyeshme: “Nuk kuptoj pse Europa mbyll sytë ndaj realitetit në Shqipëri.”







