Ballina Opinion Disa pyetje për Toni Gogun

Disa pyetje për Toni Gogun

130
0

Nga Kaon Serjani

Z. Toni Gogu, kam disa pyetje:

Ju thoni se projektligji nuk ka “deriçka të fshehta” dhe se teksti merret me barazinë burrë-grua në jetën publike.

• Pse termi “gjini” nuk përkufizohet i lidhur me seksin biologjik të individit?

• Pse nuk përdoret përkufizimi i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, por një përkufizim ideologjik?

Ju thoni se konceptet si “orientim seksual” apo “identitet gjinor” janë të njohura në korpusin tonë ligjor që prej vitit 2010 (ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”).

• Pse duhet përfshirë “orientimi seksual” në një ligj për barazinë gjinore?

• Ku ndryshon “identiteti gjinor” nga “gjinia”? Nëse është i njëjti koncept, pse nuk hiqet nga projektligji fraza “identitet gjinor”?

• Nëse këto terma kanë hyrë edhe në një ligj tjetër më herët, pse do të votoni përsëritjen e një gabimi, në vend që të loboni për ta hequr si term nga ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”?

Shiko ndryshimin mes ligjit të vjetër për barazinë gjinore dhe projektligjit të ri.

Ligj nr. 9970, datë 24.7.2008, “Për barazinë gjinore në shoqëri”

“‘Barazi gjinore’ është pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe e meshkujve në të gjitha fushat e jetës.”

Projektligji “Për barazinë gjinore”, 2025:

“‘Barazi gjinore’ – të drejta, përgjegjësi, mundësi, pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në të gjithë diversitetin e tyre, në të gjitha fushat e jetës.”

• Pse është hequr “femrave dhe meshkujve” dhe është zëvendësuar me “grave dhe burrave”?

• Pse është shtuar “në të gjithë diversitetin e tyre”? Çfarë kuptimi ka kjo frazë? Sepse “gratë dhe burrat” e kanë në vetvete diversitetin. Për çfarë diversiteti tjetër bëhet fjalë? A është ligj për dy gjini apo për më shumë? Nëse është vetëm për dy gjini, duhet hequr “në të gjithë diversitetin e tyre”.

Ju thoni se projektligji “është i drejtësisë, jo i ideologjisë.”

• Nëse nuk është ideologjik, pse projektligji presupozon se ekziston një dallim midis seksit dhe gjinisë?

Neni 4, pika 1, gërma dh)

“‘Dhunë dhe ngacmim/shqetësim me bazë gjinore’: dhuna dhe ngacmimi ndaj personave për shkak të seksit ose gjinisë.”

• Pse nuk thuhet thjesht “për shkak të gjinisë”?

• Ku ndryshon “seksi” nga “gjinia”? A nuk janë e njëjta gjë? Nëse nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë, a mos do të thotë që dikush mund të jetë për seks mashkull dhe për gjini grua? Kjo është ideologjia që imponon ligji. (Shih konceptet e John Money.)

Ju thoni: “Ne nuk po prishim gardhin e dallimeve gjinore.”

• Pse atëherë nuk e përkufizoni gjininë si “vetëm mashkull dhe femër”, duke theksuar se gjinia është e pandryshueshme? Mos prisni që të na sigurojnë fjalët publike individuale, por termat e ligjit.

Ju thoni: “Ungjilli nuk është kod ndalimesh për të tjerët.”

• Në cilën pikë të Ungjillit justifikohet që gjinia është rol social?

Nëse nuk ka rëndësi biologjia për të qenë burrë apo grua, atëherë Bibla është pa vlerë, sepse vetëm atë përkufizim njeh (Zanafilla 1:27).

Ju thoni: “Burri s’ka frikë nga madhështia e gruas.”

Por nëse “gjinia” nuk përkufizohet si mashkull dhe femër — dhe si e pandryshueshme — por trajtohet si “rol social”, a është kjo vërtet madhështia e gruas, apo hapja e derës që një burrë të quajë veten grua?

• Pse duhet të detyrohen subjektet private të respektojnë kuota gjinore në bordet drejtuese? Përndryshe, a do të përballen me sanksione?

(Shih nenin 24, pika 1, gërma d) dhe nenin 47 për sanksionet.)

Pse duhet që Këshilli i Ministrave të përcaktojë “gjuhën me ndjeshmëri gjinore” për subjektet jopublike? A nuk përbën kjo një formë censure dhe ndërhyrje në lirinë e shprehjes?

Bëni këto ndryshime dhe do të jemi në mbështetje të projektligjit.