Bulevard news*
Noti në Durrës ka nxjerrë emra të mëdhnj, kampion dhe rekordmen kombëtar. Për dekada me rradhë ekipi “Lokomotiva” ka qëndruar në krye të renditjes në të gjitha garat për fëmijë, të rrinj dhe të rritur. Njëri ndër emrat me peshë dhe pushtet në garat e notit është Hysen Haxhi. Në të vërtetë të gjithë në Durrës e njohin me emrin Kitra, “nofkë” që e merr gjatë garave të zhvilluara kur ai ishte vetëm 13 vjeç. Kitra e kishte shtëpinë tek Amfiteatri, në lagjen më të vjetër të qytetit. Për të gjithë djemtë e lagjes gjëja e parë që duhej mësuar ishte noti ndaj Kitra nuk mund të bënte përjashtim. Ashtu bashkë, me kanatjere apo lakuriq, duke tërhequr zvarrë sandalet që lëshonin vijë të gjatë pluhuri merrnin drejtimin për në Currila, plazhi i vjetër i qytetarëve. Pa një dhe pa dy me të mbërrirë të gjithë zhyteshin në ujë. Mësonin njëri-tjetrin si të lëviznin duart, si të mbanon trupin mbi ujë dhe të harmonizonin lëvizjet. Pa trajner, pa prindër, pa të rritur. Kishte shumë fëmijë që iknin fshehurazi prindërve, siç kishte edhe të tjerë të cilët e kishin marrë miratimin e prindërve dhe njëherësh prorositë e tyre për t’u treguar të kujdesshëm në det. Kitra ishte nga ata fëmijë që i duhej vjedhur vigjelencës së të atit. Qemal Haxhi, i ati, e kishte djalë të vetëm dhe nga frika e mbytjes nuk e lejonte t’i bashkohej fëmijëve. Edhe pse bëri të gjitha përpjekjet për ta mbajtur larg detit, Kitra nuk e kishte ndërmend të hiqte dorë nga noti. Madje i është dashur të durojë jo vetëm vërejtjet dhe ashpërsinë e fjalëve të të atit, por edhe djegien e trupit nga hithrat me të cilat ndëshkohej në rastet kur i ati mësonte se Kitra kishte qenë për t’u larë në det. Zemërimin e Qemalit, që e kishte Kitrën si dritën e syve, nuk e zbusnin as fjalët qetësuese të komshinjve dhe as lutjet e bashkëmoshatarëve të Kitrës të cilët jepnin garanci se nuk do të futeshin thellë dhe se do të qëndronin pranë të rriturve në Currila. Kështu iku një vit, dy e tre deri sa fëmija 8,9- vjeçar fiton njëfarë pavarësie në këtë drejtim. Shokët dhe miqtë e tij të ngushtë Agim Koçi, Arben Rrogozhina, Shyqyri Gjepali, Jani Kurti vite më pas do të rikujtojnë fëmijërinë dhe episode të moshës teksa kalonin orë të tëra në detin e Currilave.
Kitra
Emrin “Kitra” do ia ngjesë trajneri shumë i njohur në Durrës, Koço Afezolli. Fëmija Hysen Haxhi ishte djalë shumë shëndetlig, i pazhvilluar dhe të krijonte përshtypjen e një fëmije jo të shkathtë. Nga koha që kishte nisur të mësonte notin dhe deri në çastin e takimit të parë me trajnerin Afezolli kishin kaluar tre vite dhe djaloshi kishte mundur të bënte shumë në të mirë të fizikut. Bashkëmoshatarët e dallonin lehtë ndryshimin që kishte bërë Hyseni jo vetëm në not, por mbi të gjitha në paraqitjen fizike. Megjithatë në pamjen e parë jepte përshtyjen e një fëmijë të ngathtë. Në moshën 11 vjeç aktivizohet me fëmijët e shtëpisë së pionierit. Aty merrin mësime teorike dhe praktike në fushën e zgjedhur si në not, futboll, basketboll, gjimnastikë, punë me dru, punë me metal, matematikë, fizikë dhe shumë disiplina të tjera. I aktivizuar me fëmijët e kampit “Qemal Stafa” 13-vjeçari Hysen Haxhi teksa po bënin disa gara fëmijësh në det bie në sy të trajnerit Koço Afezolli i cili po ndiqte te kureshtje notin e kësaj moshe. Në kohën që notonin në Currila fëmijët shkonin deri tek Shkëmbi, rreth 400 m nga bregu, ndërsa në rastin e aktivizimit me kampin e fëmijëve kujdestarët nuk i lejonin të futeshin thellë. Haxhi e kishte të pamundur ta pranonte këtë lloj disipline e cili ia ndalonte të kalonte vizën e kuqe. Thënë ndryshme Kitra dhe moshatarët e tij nuk lejoheshin të laheshin përtej vendit ku uji i mbulonte këthizën. Gjatë kohës që trajneri tij dhe Afezolli humbin pak vëmendjen, 13-vjeçari Haxhi zhytet në det dhe del disa metër thellë, larg të gjithëve. Kjo ra në sy të trajnerit dhe të notarëve Tomor Fishta dhe Rifat Murati që ishin instruktorë për të shpëtuar fëmijët nga mbytja në det. Koço Afezolli e pikas shkathtësinë e fëmijës dhe sapo afrohet pranë tij i thotë “Na ike si ketër”. Nga ajo ditë Hysen Haxhi thërritet me emrin Kitra, Kitra. Kështu i thërrasin të gjithë, edhe bashkëmoshatarët, edhe të rinjtë, madje edhe prindër të fëmijëve që mësojnë notin nga ky trajner.
Noti
Takimi i parë me trajnerin Koço Afezolli dhe zhytja e Kitrës për t’i ikur nga sytë kujdestarëve të kampit shënoi edhe lidhjen e madhe të Kitrës me sportin e notit. Sapo përfundoi aktiviteti i fëmijëve të kampit “Qemal Stafa” notari merret nga Afezolli dhe bëhet pjesë e ekipit të notit “Lokomotiva”. Nga viti 1961 deri në vitin 1974 nuk do i ndahet garave të notit. Kampion kombëtar dhe rekordmen kombëtar 1963-1974, në të gjitha garat stil i lirë 400 m, 800 m, 1500 m. Nuk do i ndahet për asnjë rast vendit të parë në garat individuale, kurse ekipi “Lokomotiva” merr të gjitha vendet e nderit duke u bërë i paarritshëm për vite me rradhë. Kitra për të parën herë mori medaljen e kampiont kombëtar në moshën 13-vjeçare. Ekipi e përfshiu fillimisht në garat për fëmijë dhe një vit më pas në ato për të rriturit edhe pse ishte ende në moshë të vogël. Talenti Kitra kishte tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Nuk ishin vetëm dashamirës të notit, miq dhe shokë të tij apo trajnerët që drejtuan sytë tek djaloshi me perspektivë të padiskutueshme dhe pasion të veçantë. Vitin që notari durrsak fiton titullin e kampionit kombëtar u shkrua një artikull nga gazetari Prokop Korreka dhe në të thuhej se Hysen Haxhia, Kitra, ka një medalje të kampionit kombëtar që nuk e gjen kurrë tek moshatarët e tij në garën 1500 m stil i lirë për të rritur. Notin e kishte mësuar në moshën 8- vjeçare ndaj asgjë nuk e ndalonte të manifestonte vlerat më të spikatuara. Që nga përballja e parë e vitit 1963 jo vetëm që ngjitej në podiumin e vendit të parë, por edhe arriti të bëhej rekordmen i garave 400 m, 800, 1500 m dhe maratonë 6 km të gjitha në stilin e lirë. Federata e notit kishte kalendarë shumë të rregullt dhe serioz për aktivitetet e notit. Garat bëheshin përgjithësisht në Sarandë, Vlorë, liqenin e Tiranës, lumin Buna në Shkodër, Korçë…Korça kishte 2 pishina, 25 m e gjatë njëra dhe 50 m e gjatë tjetra me nga 21 m gjerësi. Ishin ndërtuar enkas për gara kombëtare. Noti ishte sport shumë i admiruar, ndaj garat frekuentoheshin në mënyrë masive. Durrësi trashëgonte traditë shumë të madhe në këtë sport ngase para brezit të Kitras kishte emra të mëdhenj dhe fitues të dhjetra medaljeve. Ekipi “Lokomotiva” vlerësohej për notin, futbollin, boksin, mundjen, çiklizmin, basketbollin, volejbollin dhe shumë sporte të tjera. Ishte ekip pretendent në shumë prej tyre, ndërsa noti nxori emra të përmasave kombëtare dhe rekordmen. Në këtë klimë e gjeti Hysen Haxhi dhe bashkëmoshatarët e tij ekipin të cilit do i sjellin një nga një morinë e medaljeve dhe të rekordeve. Kitra veçon nga moshatarët e tij. 15 vjeç fitoi titullin “Mjeshtër sporti”. Këtë titull e rrëmbeu në garë 800 m stil i lirë. Mori plot 37 medalje kampion kombëtar duke u renditur në listën e notarëve me më shumë medalje kombëtare. Hysen Haxhi, Kitra ka një sërë vlerësimesh. Federata e Notit Shqiptar emrin e tij e ka sistemuar tek vendet e nderit për shkak të rezultateve dhe rekordeve. Federata i ka dhënë unanimisht të drejtën e gëzimit të titullit “Mjeshtër i merituar i sportit” dhe “Nderi i notit shqiptar”. Ndërkohë edhe bashkia e Durrësit, e ka vlerësuar ndihmesën e madhe të këtij sportisti. Për shkak të rezultateve, përkushtimit dhe talentit Hysen Haxhit është fitues i vlerësimit “Mirënjohje e qytetit” . Kitra është shpallur kampion edhe në voterpol me ekipin “Lokomotiva” dhe ekipin “Partizani”.. Sportistët cilësorë, me afrimin e moshës për t’iu nënshtruar detyrimit për shërbimin ushtarak, bëheshin objekt i stafit drejtues të ekipit “Partizani”, ekip që kishte privilegjin e vetëm për të thithur talentet. Një gjë e tillë ndodhi edhe më Kitran i cili me t’u mobilizuar u tërhoq nga “Partizani”. Atje ushtroi notin në garat sportive dhe voterpol. Gjatë dy viteve, 1970-1972 i dha “Partizanit” disa medalje në gara individuale. Djaloshi nga Durrësi mundi të kapte majat e rezultateve të kohës si dhe të bëhej disa herë rekordmen në saj të përkushtimit të veçantë të trajnerëve. Fillimisht kulturën sportive e fitoi nga trajneri Koço Afezolli të cilin e pati udhërrëfyes për 3 vite. Më pas do të kalojë në dorën e Sulejman Tufës dhe Kristaq Bakërdhelit dy emra të tjerë të rëndësishëm dhe rezultativ në sport. Teksa mbush moshën 26-vjeçare tërhiqet nga garat me mendimin se kishte dhënë gjithçka që duhej për ekipin “Lokomotiva” e “Partizani” si dhe për qytetin e tij të lindjes. Vendimi tij vjen në vitin 1974 dhe për dy vite qëndron mënjanë pa u marrë në mënyrë aktive me notin. Pikërisht në këtë kohë, trajneri ekipit “Lokomotiva” e fton për të biseduar rreth mundësisë së rifutjes së Kitras në garë. Trajneri i bën të qartë se kishte nevojë të ngutshme për një notar që do të merrte pjesë në garën me stafetë 4 x 100 m stil i lirë. Ishte viti 1976 dhe garat zhvilloheshin në pishinën e ngritur në Durrës, pranë muzeut arkeologjik në shëtitoren “Taulantia” të qytetit të Durrësit. Në këtë garë morën pjesë Eduart Hasa, Petrit Guma (rekordmen disa herë) Fatmir Kërçiku dhe Kitra. Për shkak të respektit që gëzonte ndaj Ismailatit, notari kampion dhjetra e dhjetra herë si dhe rekordmen kombëtar detyrohet t’i nënshtrohet vullnetit të trajnerit. Nuk bën as edhe më të voglën stërvitje për të dëshmuar risjelljen në formë sportive dhe me t’u futur në garë shpallet sërish kampion si stafetë dhe si ekip “Lokomotive”. Notarët Hysen Haxhi (Kitra), Agron Kallaku, Shyqyri Gjepali, Jani Kurti, Arben Rrogozhina, Niko Karabeci, Llampi Karabeci, Petraq Skrami i sjellin “Lokomotivës” të gjitha çmimet duke mos u lënë ekipeve të tjera asnjë nga tri vendet e nderit. Hysen Haxhi ka guxuar të provojë shumë në det duke përshkuar pa ndërprerje kilometra të tëra. Kështu Kitra ka bërë pa pushim itenerarin Sazan-Vlorë 13 km, Karabarun-Vlorë, Skelë-fabrika vajit tek tuleni dhe kthim. Të tilla inisiativa i marrin vetëm notarë të cilët kanë siguri të plotë në aftësitë e tyre. Kitra kujton se gjatë garave kishte edhe hile të cilat bëheshin shumë të fshehta. Për shembull për të lodhur notarin barka që përcaktonte itenerarin e garuesit të notit bënte lundrime të lakuara për rastet kur dontë ta lodhte notarin. Me të tilla raste është ndeshur edhe Kitra i cili pavarësisht këtyre “lojrave” ka mundur të dalë kampion. Ishte shkathtësia, përgatitja dhe forca e brendshme që ndikonin në këtë drejtim. Kitra edhe pse ishte vetëm 58 kg, peshë e cila nuk shkonte përshtat me trupin e tij prej 180 cm të gjatë, i bëri të vetmat trofetë. Garat i kanë sjellë atij edhe të papritura, siklete, djersitje dhe ngarkesa të forta emocionale. Në 1967 u bë kampionati kombëtar në Sarandë dhe në garën 800 m stil i lirë Kitra thyen rekordin kombëtar. Pas tij, në baterinë e dytë ishte Zek Shestani nga Shkodra i cili arrinë të thyejë po atë ditë rekordin e arrirë nga Kitra pak minuta më parë. Të nesërmen ishte gara në 1500 m. Këtu Kitra dhe Shestani ishin në të njëjtën bateri: i pari tek 4 dhe Shestani tek 5. Duke ikur për start Halim Zakanjori i thotë Shestanit t’i hedhë një sy Kitrës duke tentuar të provokojë djaloshin nga Durrësi. Zakanjori për t’i dhënë zemër Shestanit sajon sikur Kitra qe zverdhur dhe shprehet se durrsaku nuk mund ta përballonte garën, ndërkohë që i kërkon Shestanit ta lërë Kitrën 10 m pas. Të tilla fjalë e ngarkojnë me emocion notarin nga Durrësi i cili vendos të bëjë maksimumin. Hip në start dhe pret pitoletën për nisjen e garës. Rezultatet ishin të paparashikueshme. Kitra theu brenda së njëjtës garë rekordin e 400 m , 800 m dhe 1500 m.
Stërvitja
Dy orë stërvitje çdo ditë në Currila ishte normë për fëmijën Hysen Haxhi dhe moshatarët e tij. Fëmijët dilnin nga shtëpia rreth orës 8 dhe futeshin në ujë në ora 9 të paradites pët të qëndruar në det deri në mesditë. Kitra dhe të gjithë djemtë e lagjes nuk dilnin nga ujë nëse nuk kishin bërë 3 km not. Edhe pse jo e këshillueshme për moshën e tyre, fëmijët e kishin bërë normë qëndrimin e gjatë në ujë. Ata bënin fillimisht 1500 m delfin stil i vështirë dhe më pas 2000 m stil i lirë. Të gjithë këtë përshkim e realizonin pa ndalesë. Por kjo ishte vetëm pjesa që fëmijët e kryenin jashtë kujdesit dhe drejtimit nga trajneri. Me ardhjen e trajnerit dhe nisjen e stërvitjes atyre u duhej të bënin stërvitje plus. Frekuentimi në të tillë programim ishte shumë i rregullt. Çdo gjë bëhej në saj të vullnetit të vet fëmijëve dhe të të rriturve, ndërkohë që jo pak ndikimim kishin edhe prindërit.Me të pasur e me të papasur djemtë stërviteshin rregullisht duke mos lënë pas as detyrimet për shkollën dhe që kishin të bënin me kryerjen e detyrave dhe të mësimeve. Notarët e vegjël futeshin në ujë me të trokitur data 1 mars. Për ta nuk kishte rëndësi nëse ishte ftohtë, diell, shi, vranësira. Ashtu së bashku shkonin tek rezervuari që është pranë marinës. Nëse ndodhte që ishte mot me shi, rrobat i fusnin në çantë dhe mbi to vendosnin një plastmas. Nuk donin fare t’ia dinin nëse ndokush habitej apo edhe lëshonte qortime në adresë të tyre. Edhe ftohtë po të ishte, edhe borë me 1 mars futeshin në ujë. Më pas në det deri në tetor. Gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit ushtroheshin në palestër tek shkolla e mesme e përgjitshhme “Gjergj Kastrioti” dhe shkolla “16 shtatori”, ndërsa rrallë edhe në palestra të tjera. Edhe pse kishte mungesë të theksuar të bazës materiale për stërvitje, djemtë ushtroheshin në basketboll, pompa, ushtrime force, llastiqe që përgatiteshin në ndërmarrjen Nish goma. Dy orë qëndronin në palestër duke treguar vëmendje dhe përqendrim të plotë e sistematik. Kitra është i bindur se sporti më i mirë dhe më i shëndetshëm për të gjitha moshat është noti, por për fëmijët mbetet edhe më i pazëvendësueshmi. Noti në gjykimin dhe përvojën e tij zhvillon trupin në mënyrën më harmonike, zhvillon muskujt, mban në gjendje shumë të mirë funksionin e mushkërive, punën e zemrës, zgjeron krahërorin dhe vë në lëvizje të gjitha gjymtyrët. Për të noti bëhet edhe më i nevojshëm dhe më i domosdoshëm, deri i pazëvendësueshëm, për fëmijët e lindur me probleme fizike. Kitra mban mend se noti ka mundur jo vetëm të fusë në rrjedhë normale, por edhe të rehabilitojë plotësisht gjendjen fizike të fëmijëve me probleme. Shembull konkret për të mbetet rasti me sportistit Sajmir Spiro i cili kishte defekte serioze fizike në dorë e në shpatull. Prindërit e tij kishin mundur ta dërgonin për konsultë dhe terapi mjeksore në dorën e disa mjekëve shumë të njohur në Shqipëri. Ndërkohë që shpresat shuheshin, kontakti me Kitran sjell edhe ndryshimin e madh. Spiro u aktivizua në ekipin e notit dhe në një kohë të shpejtë nisi të shfaqë rehabilitimin e pritshëm. Madje Spiro doli kampion kombëtar në 100 m delfin për fëmijë.
Trajner
Me të hequr dorë nga garat si notar, Hysen Haxhi (Kitra) në vitin 1977 ngre ekipin e fëmijëve të Durrësit. Detyrën e trajnerit e ushtron për 14 vite rresht me ekipin “Lokomotiva” dhe falë vullnetit të tij dhe pasionit të fëmijëve shpallet kampion kombëtar duke pasur 70 përqind të rekordeve të fëmijëve. Viti 1979 qe edhe më i suksesshmi për të dhe për ekipin. Kampionati i notit për fëmijë zhvillohej në Sarandë. Falë përgatitjes së kujdesshme nga Kitra të gjitha garat fitohen nga “Lokomotiva” e cila në të gjitha stilet dhe garat shpallej fitues i vendit të parë, të dytë, të tretë. Ekipi i drejtuar prej tij shkonte deri atje saqë të siguronte titullin e kampionit si ekip që ditën e parë, me pikët e arritura, pa përfshirë rezultatet e dy ditëve të tjera të kampionatit të notit. Në çdo aktivitet sportiv merrte pjesë me 15 notarë fëmijë të cilët kalonin fazën e seleksionimit para se të nisnin garat kombëtare. Kitra bënte pjesë të ekipit fëmijë nga mosha 5 vjeç deri në moshën 13 vjeç. Me kalimin e kësaj moshe fëmijët përcilleshin në ekipin e të rrinjve nën drejtimin e trajnerit Agron Ismailati i cili kishte nën përgatitje edhe të rriturit e ekipit “Lokomotiva”. Rezultatet pozitive dhe fitoret vazdhonin të ishin të pashmangshme edhe kur fëmijët kalonin në ekipin e të rrinjve apo të të rriturve. Kitra në cilësinë e trajnerit e ka të pamundur të kujtojë se sa fëmijë janë përgatitur si notarë prej tij. Ai mbetet një minierë e pasur e furnizimit të ekipeve të të rriturve me sportistë të pasionuar pas notit. Aftësitë dhe metodika e tij e përgatitjes së fëmijëve për të notuar i ka dhënë popullaritet të padiskutueshëm në Durrës. Brenda një ditë fëmija që nuk ka hyrë kurrë në det fiton aftësi të ecë i pandihmuar 10 m në ujë. Emri i tij i ka dhënë shumë krenari sportit të notit në Durrës, ndërsa nga dora Kitrës kanë dalë edhe kampion e rekordmen kombëtar si: Sokol Hoti, Met Kikri, Gentian Bleta, Ard Bleta, Eugen Egro, Spartak Afeolli, Pirro Llaçi, Aleksandër Gresi, Ilir Pici, Fadil Deliallisi. Trajneri ka këshilluar vazdhimisht prindërit që të ushqejnë tek fëmijët pasionin për detin dhe notin. Fëmijët që aktivizohën në not ndihem mirë dhe shumë mirë me oreksion dhe me shëndetin. Stërvitjen në kohën e verës e kryejnë në pishinën që gjendet tek muzeu arkeologjik në Durrës. Pishina është ndërtuar në vitin 1972-73 dhe klasifikohet si ndër më të mirat. Ajo është 50 m e gjatë, 21 m e gjerë dhe plotëson standartet e pishinës olimpike. Pishina ka nëntë korsi, thellësi 5 m në start dhe 2.5 m në fund si dhe trampolinë 10 m me katër nivele. Nivelet variojnë: 3 m, 5 m, 7 m dhe 10 m. Tek niveli i parë hidhet çdo fëmijë, ndërsa tek të tjerat vetëm ata të rekomanduar nga vet trajneri i cili mbikqyr nga afër akrobacinë. Notari Dritan Bleta hidhej edhe nga 10 m në një kohë që ishte 12 vjeç, tregues ky i përgatitjes itensive dhe të kujdesshme, shembull që e kanë ndjekur edhe të tjerë notarë. Kampionatet e fëmijëve zhvilloheshin kryesisht në Durrës, Elbasan, Vlorë dhe për tre ditë fëmijët masnin aftësitë. Djemtë e trajnerit Kitra nuk diskutojnë edhe sot vendet e para në të tilla kampionate. Në të gjitha rastet juria kombëtare ishte e përkushtuar dhe serioze. Ajo përbëhej nga startier, kronometristë, stilistët, gjyqtar kthese, kryegjyqatar e sekretar. Trajneri pohon se Federata e Notit Shqiptar është shumë e kujdesshme dhe serioze në vlerësimin e talenteve duke respektuar deri në një leximin e kujdesshëm dhe të saktë të rezultatit. Hysen Haxhi shërbeu si trajner i fëmijëve të ekipit “Lokomotiva” që mori më pas emërtimin “Teuta” nga viti 1977 deri në vitin 2008, kohë që për shkak të brrylave u detyrua të kalojë në aktivitet privat duke ngritur nga e para ekipe me të vegjël në sportin e notit.
Rekorde
1979 Dritan mezini 200 m, delfin
1980 Shtëpim Çimo 200 m, 400 m, stil i lirë
1981 Sokol Kapedani 200 m stil i lirë
1982 Ilir Pici 100 m, bretkocë
Spartak Afezolli 100 m, shpinë
Arben Korani 200 m, stil i lirë
1983 Arben Korani 200 m,stil i lirë
Aleksadnër Lala 200 m, katër notim
Piro Llaçi 50 dhe 100 m, delfin
Taulant Nako 50 m, shpinë
1984 Arjan Gjolja 100 m, stil i lirë
Aleksandër Lala 200 m, katërnotim
Piro Llaçi 50 m, delfin
Arben Korani 100 m, stil i lirë dhe 200 m, stil i lirë
Spartak Afezolli 100 m, 200 m, shpinë.
Stafeta e përzier 4 x 50 Spartak Afezolli, Ilir Pici, Pirro Llaçi Arben Korani
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







