E vendosur të denoncojë burrin që e preku në mënyrë të pahijshme, presidentja e Meksikës dëshiron të japë shembullin e mos-tolerimit ndaj sjelljeve të tilla.
Gjatë një konference për shtyp, Klaudia Sheinbaum deklaroi se do të ngrejë padi kundër burrit që e preku gjatë një vizite në qytetin e Meksikos.
Në një video të regjistruar me celular, shihet Sheinbaum teksa flet me një grup mbështetësish pranë Pallatit Kombëtar, kur një burrë afrohet, përpiqet ta puthë në qafë dhe vendos duart mbi trupin e saj.
Sheinbaum, e cila u duk e shqetësuar por ruajti qetësinë, u largua menjëherë ndërsa një pjesëtar i sigurisë së saj ndërhyri. Agresori u arrestua.
“Qëndrimi im është ky: nëse unë nuk bëj kallëzim, çfarë do të ndodhë me gratë e tjera meksikane? Nëse një gjë e tillë i ndodh presidentes, çfarë mund të ndodhë me të gjitha gratë e vendit tonë?”, tha ajo.
“Vendosa të ngre padi sepse kjo është diçka që e përjetova si grua, por që e përjetojmë të gjitha ne gratë në vendin tonë,” shtoi Sheinbaum. “E kam përjetuar edhe në të kaluarën, kur nuk isha presidente, madje që kur isha studente.”
Ajo tha gjithashtu se vendosi të bëjë denoncimin sepse i njëjti burrë dyshohet se kishte ngacmuar edhe gra të tjera në turmë. “Duhet vënë një kufi,” theksoi Sheinbaum.






