Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 80 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave në provincën e Gizës, në Egjipt.
Lajmi u bë i ditur të dielën nga Ministria egjiptiane e Shëndetësisë, e cila konfirmoi viktimat dhe të plagosurit si pasojë e aksidentit të rëndë hekurudhor.
Sipas Hekurudhave Kombëtare të Egjiptit, një tren që udhëtonte nga Giza drejt Fayoumit është përplasur me pjesën e pasme të një treni tjetër, i cili po kryente itinerarin nga Kajro drejt Asuanit.
Aksidenti ndodhi mes stacioneve Kafr Ammar dhe Al Raqa, ndërsa përplasja shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve.
Dhjetëra pasagjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spitalet pranë zonës, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore.
Aksidentet hekurudhore nuk janë të rralla në Egjipt. Ndër shkaqet kryesore të tyre renditen gabimet njerëzore në kalimet në nivel dhe problemet me sistemet e sinjalizimit hekurudhor.







