Ballina Politika Sali Berisha çirret për Tunelin e Llogarasë; mbesa e tij, Shpresa Breçani...

Sali Berisha çirret për Tunelin e Llogarasë; mbesa e tij, Shpresa Breçani firmosi bilancet e projektit

161
0

Ish-kryeministri kërkon arrestime, ndërsa ekspertja kontabël që ka certifikuar kostot e Tunelit të Llogarasë është mbesa e tij, Shpresa Breçani.

Sulmet e Sali Berishës ndaj ministrisë së Infrastrukturës, pas procedimit nga SPAK, kanë një prapaskenë të papritur: ekspertja që ka miratuar bilancet ekonomike të Tunelit të Llogarasë është mbesa e tij, Shpresa Breçani.

E njëjta kontabiliste ka firmosur më parë bilancet e projekteve të Gërdecit, të Damir Fazlliçit, të kullave “Partizani” dhe të kompanive të lidhura me biznesmenë të dyshuar për pastrim parash.

Prej disa ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur një ofensivë të përditshme politike kundër zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pas procedimit nga SPAK për çështjen e tenderimit të Tunelit të Llogarasë.

Në çdo deklaratë publike, Berisha kërkon “arrestime”, duke e paraqitur hetimin si simbol të korrupsionit qeveritar.
Por faktet tregojnë se brenda këtij projekti, një nga firmat më të rëndësishme në bilancet financiare i përket familjes së tij.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Pamfleti”, ekspertja kontabël që ka certifikuar bilancet e punimeve të Tunelit të Llogarasë është Shpresa Breçani, vajza e motrës së Sali Berishës.
Emërimi i saj si eksperte është bërë nga “Gjoka Konstruksion”, kompania që zbaton punimet për llogari të koncesionarit turk.

Sali Berisha çirret për Tunelin e Llogarasë; mbesa e tij,

Shpresa Breçani ka qenë përgjegjëse për analizën e kostove, miratimin e bilanceve dhe raportimin financiar të projektit, detyrë që e ka ushtruar deri në gusht 2025, kur u mbyllën llogaritë e investimit bazë.

Nëse gjatë hetimit rezultojnë abuzime me kostot apo fryrje të shpenzimeve, përgjegjësia bie drejtpërdrejt edhe mbi ekspertët që i kanë certifikuar bilancet, pra mbi Shpresa Breçanin.
E njëjta eksperte ka shërbyer më parë si kontabiliste në disa nga aferat më të mëdha financiare të periudhës Berisha, përfshirë:

–  bilancet e Gërdecit,

–  kompanitë e Damir Fazlliç,

–  kullat e kompleksit “Partizani”,

–  ARMO-n e Rezart Taçit,

–  kompaninë Belle Air,

–  dhe biznese të lidhura me rrjete ndërkombëtare bixhozi, call-center dhe pastrimi parash të mafias italiane “Sacra Corona Unita”.

Lista e gjatë e kompanive ku ka qenë auditore tregon se Shpresa Breçani është një nga emrat më të përdorur për justifikimin financiar të projekteve të mëdha të pushtetit, por asnjëherë nuk është hetuar për asnjë rast.
Në rastin e Tunelit të Llogarasë, prania e saj krijon një konflikt të drejtpërdrejtë interesi, sepse Berisha, që sot akuzon për korrupsion, është politikisht i lidhur me personin që ka firmosur bilancet e të njëjtit projekt.

Tuneli i Llogarasë, është realizuar nga konsorciumi turk që më pas nënkontraktoi “Gjoka Konstruksion”, kompani që për vite me radhë ka marrë projekte qeveritare nga çdo pushtet.
Në këtë skemë, roli i ekspertëve financiarë është thelbësor: ata janë garancia që kostot dhe pagesat justifikohen para shtetit dhe institucioneve bankare.

Ironia është se Berisha kërkon arrestimin e një ministreje që nuk ka firmosur bilancet, ndërsa ekspertja që i ka miratuar dhe vulosur ato është mbesa e tij e afërt.
Kjo e bën të qartë se sulmet politike ndaj Ballukut nuk kanë të bëjnë me drejtësinë, por me përpjekjen për të devijuar vëmendjen nga fijet që çojnë në oborrin e Berishës vetë.

Në përfundim, fakti që Shpresa Breçani ka qenë eksperte financiare e Tunelit të Llogarasë përbën provën më të qartë se rrjetet e vjetra të interesave politike dhe ekonomike nuk janë ndarë asnjëherë nga projektet publike strategjike.
Dhe sot, ndërsa Sali Berisha akuzon të tjerët për korrupsion, firma e mbesës së tij qëndron mbi bilancet e një prej koncesioneve më të mëdha të qeverisë Rama./Pamfleti