Ballina Aktualitet Shqipëria ‘plot’ me pesticide kontrabandë, AKU: Pikat e grumbullimit të sigurojnë dokumentacion...

Shqipëria ‘plot’ me pesticide kontrabandë, AKU: Pikat e grumbullimit të sigurojnë dokumentacion të plotë për gjurmueshmërinë e produkteve

214
0

Pas një aksioni gati 3 javor të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për tregtimin e pesticideve në vendin tonë, janë vënë 9 gjoba, janë dhënë 33 paralajmërime, 5 subjekte u bllokuan, 2 licenca farmacish bujqësore u revokuan si dhe janë bllokuar gati 4 tonë pesticide, kontrabandë dhe të skaduara. Të paktën këto janë shifrat e publikuara prej datës 16 tetor e deri më tani nga AKU, në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Pas këtij ‘aksioni’ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se mblodhi në një takim grumbullues, eksportues, importues dhe fermerë, për të diskutuar mbi problematikat e punës së tyre.

“Fokusi i takimit ishte përdorimi i pesticideve të regjistruara dhe udhëzimi mbi praktikat e përdorimit të rregullt të tyre. Problematika kryesore mbetet përdorimi i pesticideve të palejuara nga fermerët dhe ku i sigurojnë ato. U theksua domosdoshmëria që pikat e grumbullimit të forcojnë kriteret dhe të sigurojnë dokumentacion të plotë për gjurmueshmërinë e produkteve, si edhe raport analizat përkatëse. Fokus i veçantë iu dha rolit të Farmacive Bujqësore dhe shpërndarësve të mëdhenj, të cilët duhet të tregtojnë vetëm pesticidet e autorizuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si edhe të udhëzojnë fermerët mbi përdorimin korrekt të tyre, sasitë dhe afatet e karencës, duke garantuar kështu sigurinë ushqimore”, thotë AKU në njoftim.

Vetëm gjatë këtij viti 23 ngarkesa fruta-perime të kontaminuara me pesticide mbi normë janë identifikuar në doganat e Bashkimit Evropian. Problemi kryesor që po haset në bujqësinë shqiptare përtej përdorimit të pesticideve të palejuara është vjelja e produktit para se të kalojë afati i lejuar i përdorimit të pesticidit. Respektimi i ‘karencës’ ose i kohës që të mbarojë efekti i dëmshëm i pesticideve pasi është hedhur në produkt, është një nga kontrollet kryesore që bëhet, thotë AKU pasi produkti del jo i pastër.