Nga Desada Metaj
Prej javësh Presidenti i Republikës Bajram Begaj mban peng betimin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese Asim Vokshi, i cili së fundmi, për interesa të dukshme apo të padukshme, është kthyer në tabelë qitjeje nga TV kombëtar që sulmet poshtë brezit i justifikon me lirinë e shprehjes.
Le ta themi që në fillim: ajo që po i ndodh Asim Vokshit, anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, është një agresion kushtetues me tipare të konspiracionit institucional.
Ai u zgjodh qetësisht nga Gjykata e Lartë, përmes një procedure të rregullt dhe transparente. Madje edhe aty, në mënyrë paradoksale, u “tradhtua” disi nga vetë kolegët e tij: tetë apo nëntë prej tyre votuan për kandidaten jashtë sistemit, znj. Naureda Llagami, ndërsa Vokshi, që çdo ditë punon përkrah tyre, mori vetëm gjashtë vota. Një çudi e heshtur, por domethënëse.
Që nga ai moment, ndaj tij është ngritur një ortek sulmesh. E para, vjen nga Presidenti i Republikës, i cili, pa asnjë arsye ligjore apo morale, ka refuzuar të zhvillojë ceremoninë formale të betimit — një akt protokollar që nuk i kushton asgjë, por që në mungesë të tij cungon përbërjen e Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Begaj, me këtë vonesë, jo vetëm që dëmton funksionimin e institucionit, por e vendos veten në pozitë të palakmueshme përballë dinjitetit të Presidencës. Është e qartë se vonesa e tij i shërben dikujt tjetër — ndoshta znj. Llagami — duke i dhënë kohë për të çuar çështjen në një spirale gjyqësore pa fund, ku Asimi mund të mbetet i bllokuar, ndërsa znj. Holta Zaçaj të vazhdojë të qëndrojë përtej mandatit të skaduar si anëtare dhe kryetare e Gjykatës.
Një tjetër front sulmi vjen nga një televizion kombëtar, që nën petkun e “lirisë së medias”, ka nisur një fushatë denigruese, duke e paraqitur Vokshin si “spiun” apo pjesë të “inteligjencës”.
Këto nuk janë thjesht sulme mediatike. Janë akte të koordinuara për të njollosur figurën e një gjyqtari dhe për të goditur vetë institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Janë sulme të harmonizuara – me aleatë nga brenda dhe me kor të orkestruar nga jashtë – për motive politike, financiare apo edhe të lidhura me krimin e organizuar.
Dhe të gjitha këto po ndodhin në një moment kur SPAK ka hapur një stinë të re goditjesh, pa dallim krahësh politikë. Shumë nga këto çështje, shpejt edhe mund të shkojnë para Gjykatës Kushtetuese. Prandaj kjo fushatë nuk është rastësi, por një reagim nervoz i sistemit që ndjen se po i afrohet fundi.
Në këtë klimë, askush nuk mund të heshtë. As Asim Vokshi.
Kujtojmë këtu rastin e gjyqtarit Brett M. Kavanaugh në SHBA, i emëruar në Gjykatën e Lartë nga Presidenti Donald Trump në vitin 2019.
Në atë kohë, kundërshtarët politikë të Trump, demokratët amerikanë në Senat, e akuzuan për ngacmim seksual të një shoqeje të klasës në adoleshencë. Kavanaugh, përballë Senatit, mediave dhe opinionit publik, mbrojti me dinjitet emrin dhe integritetin e tij, duke i rrëzuar akuzat me argument dhe qëndrim moral. Ai u përball hapur, me qetësi dhe vendosmëri – shembull i një gjyqtari që e di se integriteti personal është themel i legjitimitetit institucional.
Vlen ky shembull për të nënvizuar se sulmet ndaj Asim Vokshit sot, kanë kaluar çdo cak etik dhe ligjor. Sot, padrejtësinë ndaj tij nuk e kryen vetëm Presidenti, apo Naureda Llagami, apo ndonjë media e caktuar, por edhe heshtja e institucioneve të tjera që duhej ta mbronin procesin dhe integritetin kushtetues.
Asimi nuk mund të heshtë më. Jo për të mbrojtur veten si individ, por për të mbrojtur legjitimitetin e procesit përmes të cilit u zgjodh, dhe me këtë, edhe dinjitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese. Ky është një test që nuk mund ta shmangë.
Gjykata Kushtetuese ka qenë në të shkuarën arenë përballjesh të mëdha — për ruajtjen e demokracisë, për garantimin e zgjedhjeve të lira, për kufizimin e pushtetit politik dhe për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sjella nga hetimet e SPAK-ut.
Në disa raste ajo ka arritur me mund të ruajë fytyrën e shtetit dhe interesat e publikut, në të tjera ka dështuar. Dhe dështimet kanë ardhur shpesh për shkak të mungesës së kurajos, varësisë politike ose shantazheve personale ndaj disa prej anëtarëve të saj.
Një anëtar i ri që do të hynte në të njëjtin model nuk do të sillte asgjë të re. Prandaj, një Asim që qëndron drejt e përballë, është sot shumë më i domosdoshëm sesa një Asim i kërrusur që hesht.
Është mëse e qartë pse këto akuza shpërthejnë tani. Më 11 nëntor, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë çështjen e Naureda Llagamit. Aty ose mbyllet spiralja e manipulimeve, ose ajo do të zgjatet për të gllabëruar në vorbullën e saj dhe ato pak segmente të lira.
Por çka ka ndodhur tashmë me akuzat ndaj Asim Vokshit dhe ndaj vetë Gjykatës së Lartë është një histori më vete, që kërkon reagim publik dhe institucional.
I pari që duhet të flasë është vetë Asimi. E dyta, Gjykata e Lartë, që e ka zgjedhur. Dhe më pas Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që ka përgjegjësi për transparencën e procesit.
“Historitë me spiuna” janë të vjetra në këtë vend të papjekur politikisht dhe institucionalisht. Shantazhet me dosje sigurimi janë plagë të epokës komuniste, që rikthehen sa herë që pushteti ndjen rrezikun e kontrollit.
Por një demokraci nuk mund të mbijetojë mbi fantazma të Sigurimit, SHIK apo ndonjë shërbetori të Kryeministrit, as mbi frikën dhe kompromisin.
Gjykata Kushtetuese nuk është as e PS-së, as e PD-së. Nuk është top futbolli që Presidenti, Naureda apo ata që i përdorin, ta godasë sipas interesit të ditës.
Ajo është garanti i të drejtave themelore të çdo qytetari shqiptar. Dhe kur ky institucion goditet përmes intrigave, vonesave, apo shpifjeve, janë të drejtat tona që rrezikohen bashkë me të.
Prandaj, sot është koha për të folur — dhe për të folur me zë të lartë.
Ky është testi i vërtetë i integritetit. Është momenti për të treguar se në këtë vend ka ende njerëz me kurajo, që nuk përkulen para presionit politik, mediatik apo kriminal.
Ashtu siç bëri Brett Kavanaugh në Amerikë, edhe këtu, një Asim Vokshi që flet me dinjitet, një Gjykatë e Lartë që duhet të reagojë fort dhe një KED që duhet të bëjë transparencë ndaj publikut, mund të bëhen simbole të mbrojtjes së drejtësisë dhe vetë Republikës nga shantazhi dhe kapja!







