Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka vijuar kritikat e forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se qëndrimi i tij në krye të selisë blu po ndihmon indirekt kryeministrin Edi Rama të qëndrojë në pushtet.
Gjatë një takimi me mbështetësit, Salianji vlerësoi rolin historik të Berishës në Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik në Shqipëri, por theksoi se sot situata politike kërkon një brez të ri drejtuesish.
“Le ta themi pa ekuivok, Sali Berisha është lideri historik i PD-së. Kontributet e tij në PD janë të padiskutueshme në vitet e pluralizmit”, deklaroi Salianji.
Megjithatë, ai tha se kreu aktual i demokratëve është konsumuar politikisht dhe nuk arrin më të bashkojë opozitën.
“Pas 36 vitesh në politikë, ai sot është i konsumuar politikisht, i izoluar ndërkombëtarisht dhe i paaftë për të bashkuar opozitën”, u shpreh ish-deputeti demokrat.
Salianji përdori edhe një metaforë të fortë politike ndaj Berishës, duke e cilësuar atë si “kambalecin” që mban në pushtet Edi Ramën.
“Qëndrimi i tij në krye të PD dëmton opozitën dhe ndihmon Edi Ramën, duke u kthyer në ‘kambalecin’ që e mban në pushtet”, deklaroi ai.
Në fund, Salianji theksoi se Berisha duhet t’i hapë rrugë një gjenerate të re në Partinë Demokratike.
“Sali Berisha është barrë për opozitën dhe duhet t’i hapë krahun një brezi tjetër”, përfundoi ai.
Ish-deputeti Ervin Salianji ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetësit, duke deklaruar se PD ndodhet në një moment kritik dhe se lidershipi aktual nuk është më zgjidhje për rikthimin e partisë në pushtet.
Salianji u shpreh se opozita nuk mund të kërkojë ndryshim për Shqipërinë pa reflektuar fillimisht brenda vetes.
“E vërteta është e thjeshtë, kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, deklaroi ai.
Sipas tij, Partia Demokratike po përballet me një krizë të thellë besimi, ndërsa qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë, por nuk mbështesin drejtimin aktual të PD-së.
“Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverinë dhe Edi Ramën, por në të njëjtat sondazhe nuk mbështesin lidershipin e PD. Kjo është e vërteta që duhet ta themi që ta shërojmë më pas”, tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat deklaroi hapur se Sali Berisha nuk mund ta rikthejë Partinë Demokratike në pushtet.
“Sali Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet, as sot, as nesër dhe as kurrë. Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Salianji akuzoi Berishën se po abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin për historinë e tij politike.
“Ai abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin e njerëzve për moshën dhe historinë e tij”, deklaroi Salianji.
Në vijim, ai ngriti pyetje mbi përgjegjësitë për humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndër vite.
“Si është e mundur që PD humbi më thellë se zgjedhjet e vitit 1997? A mund të kalojë kjo pa përgjegjësi? Jo, jo dhe jo”, tha ai.







