Ballina Politika Kanalizimet në Tiranë, Braçe: Tirana qelbet erë, ku derdhen ujërat e ndotura?

Kanalizimet në Tiranë, Braçe: Tirana qelbet erë, ku derdhen ujërat e ndotura?

63
0

Në Kuvend është zhvilluar një diskutim mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me ndotjen e lumenjve në Tiranë dhe ecurinë e projekteve për kanalizimet. Braçe ngriti shqetësimin për situatën mjedisore në kryeqytet, duke paralajmëruar për përkeqësim gjatë muajve të verës. “Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë”, tha ai, duke përmendur temperaturat e larta, mungesën e reshjeve dhe rënien e prurjeve në lumenj.

“Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, e pranojnë botërisht, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen”, tha Braçe.

Ai iu referua edhe një letre të UKT-së, sipas të cilës “ujëra të ndotura derdhen në lumenjtë e Tiranës, në Lanë dhe me gjasë edhe në Erzen”, duke e cilësuar këtë një rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.

Braçe kritikoi gjithashtu zhvillimin urban, duke thënë se infrastruktura ekzistuese nuk përballon ndërtimet e reja. “Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, u shpreh ai, duke ngritur pyetjen se ku do të shkarkohen ujërat e ndotura të zonave të reja si Lagjja nr. 13 dhe Bulevardi i Ri.