Barcelona arriti një fitore të rëndësishme në La Liga, duke mposhtur Celta Vigon me rezultatin 4-2 në Balaidos, ky sukses e ndihmon skuadrën e Hansi Flick të hyjë me besim në pushimin ndërkombëtar dhe të ngushtojë diferencën me Real Madridin në krye të tabelës.
Pas ndeshjes, trajneri gjerman u shpreh i kënaqur me reagimin dhe përmirësimin e skuadrës, duke theksuar se Barcelona është në rrugën e duhur.
“Luajtëm mirë me topin dhe në pjesën e dytë u mbrojtëm më mirë. Kjo pjesë e dytë na jep shumë besim për ndeshjet që vijnë. Jemi përmirësuar dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim”, ka thënë Flick.
Ai shtoi gjithashtu se nuk i kushton vëmendje “zhurmës” rreth taktikave të tij, duke theksuar se fokusi mbetet te puna dhe përmirësimi i skuadrës.
Ylli i ndeshjes ishte Robert Lewandowski, i cili realizoi një tregolësh në ndeshjen e tij të parë si titullar pas dëmtimit në kofshë.
Flick vlerësoi rikthimin e polakut, por u shpreh se është ende herët për të përcaktuar rolin e tij si titullar fiks.
“Pas dëmtimit pashë një Lewandowski ndryshe, shumë pozitiv. Është mirë që shënoi tre gola, sepse kjo do t’i japë vetëbesim”.
Trajneri foli edhe për Frenkie de Jong, që zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer por u ndëshkua me karton të kuq në fund, duke e përjashtuar nga sfida e ardhshme kundër Athletic Club.
“Ai ishte shumë i rëndësishëm për ne sot, kontrolloi lojën dhe luajti në nivel të lartë. Do të na mungojë në ndeshjen tjetër, por do të duhet ta menaxhojmë situatën. Shpresoj që Pedri të rikthehet dhe të jetë gati”, përfundoi Flick.







