Ballina Sport ​Wenger, kandidati i UEFA-s për ta sfiduar Infantinon në garën për president...

​Wenger, kandidati i UEFA-s për ta sfiduar Infantinon në garën për president të FIFA-s

107
0

UEFA po e shqyrton seriozisht mundësinë që Arsene Wenger të jetë kandidati i saj për ta sfiduar Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s. Sipas raportimeve të fundit të mediave ndërkombëtare, drejtuesit e futbollit evropian po përpiqen ta bindin ish-trajnerin e Arsenalit që të hyjë në garë për postin më të lartë të futbollit botëror.

Sipas SportMediaset, Wenger është aktualisht emri më i përfolur për të përfaqësuar UEFA-n në këtë përballje, ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave është 18 nëntori. Megjithatë, sipas raportimeve të Press Association, francezi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe nuk konsiderohet domosdoshmërisht kandidati i preferuar i vetëm i UEFA-s.

Wenger, 76-vjeçar, ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në futboll, veçanërisht gjatë periudhës 22-vjeçare në krye të Arsenalit, me të cilin fitoi tri tituj të Premierligës dhe shtatë Kupa FA. Ai është pjesë e FIFA-s që nga viti 2019, kur u emërua drejtor për zhvillimin global të futbollit, pozitë që vazhdon ta mbajë edhe aktualisht.

Emri i tij po lidhet me këtë garë në një periudhë kur UEFA ka shprehur hapur pakënaqësinë me udhëheqjen e Infantinos. Një nga çështjet që ka thelluar përplasjet ishte projekti FIFA Forward Enterprise, përmes të cilit ishte paraparë përfshirja e investitorëve privatë në një kompani të lidhur me organizimin dhe komercializimin e garave të FIFA-s. Projekti hasi në kundërshtime të mëdha dhe u tërhoq më pas nga vetë FIFA.